Një studim i ri shkencor sugjeron se gjumi mes 7 dhe 8 orëve në natë mund të jetë sasia optimale për të ulur rrezikun e zhvillimit të demencës në moshë të shtyrë.
Hulumtimi, i realizuar nga një ekip në Universitetin e Jorkut në Kanada, ka analizuar të dhëna nga 69 studime të mëparshme që përfshijnë rreth 4.5 milionë persona. Studiuesit kanë shqyrtuar lidhjen mes demencës dhe tre faktorëve kryesorë të stilit të jetesës: kohëzgjatjen e gjumit, aktivitetin fizik dhe kohën e kaluar ulur.
Sipas rezultateve, individët që flenë më pak se 7 orë në natë kanë rreth 18% rrezik më të lartë për demencë, ndërsa ata që flenë më shumë se 8 orë shfaqin një rritje prej rreth 28% të këtij rreziku.
Përveç gjumit, studimi thekson se edhe aktiviteti fizik i rregullt dhe reduktimi i kohës së qëndrimit ulur lidhen me një rrezik më të ulët për sëmundjen. Më pak se 150 minuta aktivitet fizik në javë dhe qëndrimi i zgjatur ulur janë konsideruar faktorë që mund të rrisin rrezikun.
Studiuesit theksojnë se këto rezultate nuk tregojnë një lidhje shkak–pasojë direkte, por vetëm një shoqërim statistikor. Ata gjithashtu paralajmërojnë se gjumi i tepërt mund të jetë në disa raste edhe shenjë e hershme e sëmundjeve neurodegjenerative, si Alzheimeri.
Sipas tyre, një stil jetese i shëndetshëm që përfshin gjumë të rregullt, aktivitet fizik dhe më pak qëndrim ulur mund të ndihmojë në përmirësimin e shëndetit të trurit dhe në vonimin e shfaqjes së demencës.
Megjithatë, ekspertët theksojnë nevojën për studime të mëtejshme afatgjata për të kuptuar më saktë marrëdhënien midis këtyre faktorëve dhe rrezikut të demencës./ kb
