Last Updated on 28/04/2026 by Anisa
Ilir Meta ka ndërhyrë live nga burgu në emisionin Breaking me Dafina Hysën në “Top News”, pas seancës gjyqësore të mbajtur një ditë më parë, duke ngritur akuza të forta ndaj mënyrës së zhvillimit të procesit dhe trajtimit të tij në sallën e gjyqit.
Ilir Meta ka kritikuar veçanërisht mbajtjen e tij në kabinë xhami gjatë seancës, duke e konsideruar këtë praktikë të papranueshme dhe poshtëruese.
“Unë kam kontribuar (për drejtësinë e re) dhe e kam bërë unë me konsensus me 140 vota, të tjerët e kanë përmbysur me 69 vota prokurorin e përgjithshëm,” tha Meta.
Ai shtoi se standardet e aplikuara ndaj tij nuk përputhen me parimet evropiane të drejtësisë:
“Me këtë drejtësinë e re nuk shkon edhe ajo që ka thënë vetë Komiteti i Helsinkit para disa ditësh për rastin tim apo për rastin Beqaj, apo për rastin e funksionarëve ose ish-funksionarëve të lartë publik sepse gjykata e drejtësisë së re nuk mund të na japi ne si standard për të qëndruar në kabinë qelqi, standardin e një terroristi arab, të një kamikazi që ka bërë akt terrorist në Francë. Nuk është ai standardi i Konventës Evropiane është ajo që thotë Komiteti i Helsinkit.”
Meta e cilësoi këtë situatë si një prapakthim demokratik, duke shtuar se mungesa e transparencës në procesin e tij gjyqësor e bën të pamundur mbrojtjen ligjore:
“Nuk ka të bëjë me praktikën kjo, kjo është përmbysje e praktikave demokratike. Unë jam arrestuar me 2 korrik, bëhet viti dhe mua nuk më është dhënë vendimi i zbardhur, çfarë kam shkelur unë. Si mund të ankohem unë për një vendim, mua nuk më jepet vendimi që ta ankimoj”, tha Meta.
