Martesa mes Jessica Biel dhe Justin Timberlake duket se po kalon një periudhë të vështirë, mes lajmeve për pakënaqësi dhe tensione të brendshme. Sipas mediave ndërkombëtare, aktorja i ka bërë të qartë partnerit të saj se durimi i saj ka kufij.
Një raport i Daily Mail sugjeron se Biel është e zhgënjyer nga sjelljet e fundit të këngëtarit, përfshirë arrestimin e tij në vitin 2024 për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit, si dhe paraqitjet publike që kanë ngritur dyshime. Dëshmitarë të cituar nga Page Six kanë pretenduar se Timberlake dukej i dehur gjatë një eventi golfi në Las Vegas më 18 prill.
Burime pranë çiftit thonë se Biel ka paralajmëruar se një gabim tjetër mund të sjellë pasoja serioze për marrëdhënien, duke nënvizuar se ajo nuk është më e gatshme të tolerojë situata të tilla. Po ashtu, përmendet se këngëtari kalon shumë kohë larg familjes, ndërsa ajo po përballon pjesën më të madhe të angazhimeve për rritjen e dy djemve të tyre.
Nga ana tjetër, burime të tjera japin një panoramë më të moderuar, duke theksuar se pavarësisht vështirësive, çifti po punon për të përmirësuar marrëdhënien dhe nuk ndodhet në prag ndarjeje.
Kujtojmë se Timberlake u arrestua në qershor 2024 në Nju Jork për drejtim mjeti në gjendje të dehur. Më vonë ai pranoi një shkelje më të lehtë dhe kërkoi falje publike, si pjesë e një marrëveshjeje ligjore./mxh
