Një profesion i rrallë dhe mjaft i rrezikshëm ka tërhequr vëmendjen në SHBA, ku një punëtor arrin të sigurojë të ardhura të konsiderueshme duke punuar vetëm disa herë në vit.
Bëhet fjalë për Kevin Schmidt, i cili ka për detyrë të zëvendësojë një llambë sinjalizuese në majë të një kulle telekomunikacioni, në një lartësi rreth 450 metra. Kjo ndërhyrje realizohet zakonisht çdo gjashtë muaj, duke i sjellë atij rreth 20 mijë euro për çdo ngjitje, ose afërsisht 40 mijë euro në vit.
Edhe pse në pamje të parë duket si një detyrë e thjeshtë, puna konsiderohet ndër më të rrezikshmet për shkak të lartësisë ekstreme dhe kushteve të vështira. Për këtë arsye, çdo ndërhyrje kryhet me masa të forta sigurie, përfshirë pajisje profesionale dhe sisteme mbrojtëse gjatë gjithë ngjitjes.
Schmidt ka treguar se me kalimin e kohës është mësuar me sfidat e këtij profesioni dhe e ka kthyer atë në një rutinë. Madje, gjatë ngjitjes ai ndalon herë pas here për të shijuar panoramën ose për të dërguar foto familjes.
Këto kulla luajnë një rol kyç jo vetëm në komunikimet moderne, por edhe në sigurinë ajrore, pasi dritat e tyre paralajmërojnë avionët për praninë e strukturave të larta.
Para se të merrej me këtë punë të veçantë, Schmidt ka pasur eksperiencë në mirëmbajtje dhe inspektime teknike. Ai thekson se, pavarësisht pagesës së lartë, ky profesion kërkon disiplinë dhe përgjegjësi të madhe, duke shtuar se nuk është për këdo, por vetëm për ata që janë të përgatitur për sfida reale./mxh
