Last Updated on 29/04/2026 by Anisa
Partia Socialiste, sipas ish-ministrit dhe ish-deputetit Arben Malaj, nuk është më ajo forcë politike që dikur frymëzonte dhe bashkonte socialistët rreth idealeve të demokracisë së brendshme dhe meritokracisë. Në një reagim të fortë publik, Malaj shprehet se PS-ja ka humbur identitetin e saj historik dhe është shndërruar në një strukturë të centralizuar, ku mendimi ndryshe jo vetëm që nuk inkurajohet, por ndëshkohet.
Ai rikujton periudhën kur PS ishte një parti e personaliteteve të mëdha dhe e debatit të lirë, duke përmendur figura inspiruese si Dritëro Agolli, Prof. Servet Pëllumbi dhe Fatos Nano. Sipas Malajt, ajo kohë karakterizohej nga një kulturë politike ku konkurrenca e ideve dhe promovimi i vlerave ishin thelbësore për funksionimin e partisë.
“PS-ja u krijua dhe u konsolidua si një parti me demokraci të brendshme, ku mendimi ndryshe nxitej dhe jo dënohej,” thekson ai. Por, sipas tij, ky model tashmë i përket së shkuarës.
Në analizën e tij kritike, Malaj e cilëson “Rilindjen” si një strukturë të ngjashme me një kompani private. “Sot, Rilindja funksionon si një SHPK me pronar të vetëm dhe 100% të aksioneve, ku kontrolli është absolut dhe hapësirat për mendim të lirë janë minimale,” shprehet ai. Kjo situatë, sipas tij, ka sjellë pasoja të rënda për vetë thelbin e përfaqësimit politik.
Një nga shqetësimet kryesore që ngre Malaj është ajo që ai e quan “lakmia për pasurim”, e cila sipas tij ka depërtuar thellë në strukturat e partisë dhe ka deformuar misionin e saj. Ai paralajmëron se kjo prirje rrezikon të shkëpusë përfundimisht PS-në nga baza e saj tradicionale dhe nga qytetarët që dikur e mbështetën.
Në fund, Malaj drejton një apel të drejtpërdrejtë ndaj socialistëve që, sipas tij, janë “verbuar nga pasurimi i shpejtë, deri edhe kriminal”. Ai i fton ata të reflektojnë dhe të rikthehen tek vlerat që dikur i bashkuan, duke nënvizuar se heshtja dhe konformizmi vetëm sa e thellojnë krizën.
Reagimi i plotë:
Elisa duhet të sfidojë dhe të meritojë mbështetjen publike, të elektoratit gri dhe të të zhgënjyerve, të cilët protestojnë me mospjesëmarrje edhe në votime. Por sidomos, Elisa duhet të fitojë shpresën dhe mbështetjen e socialistëve të vërtetë.
Kur analizojmë qëndrimin deri tani sfidues të Spiropalit, mund dhe duhet të mbajmë parasysh disa momente:
1. Pas vitit 2005, PS-ja nuk është më partia për të cilën shumë socialistë, përfshirë edhe mua, u inspiruan dhe u bashkuan. Nuk është më një parti e personaliteteve inspiruese si Dritëroi, Prof. Serveti, Nano dhe shumë personalitete të tjera.
PS-ja u krijua dhe arriti të jetë partia me demokraci të brendshme, ku nxitej dhe nuk dënohej mendimi ndryshe.
PS-ja kishte një proces përzgjedhës dhe promovues për mandatet e larta në politikë, në institucionet kushtetuese dhe në forumet partiake.
Pra, në këtë rast, Rilindja është një SHPK me pronar të vetëm dhe 100% të aksioneve,
ku ndalohet dhe dënohet mendimi ndryshe dhe ku po vërtetohet se lakmia për pasurim kriminal ka infektuar rrënjët e saj.
Atëherë edhe Elisa, Erioni dhe kushdo tjetër politikan atdhedashës, ka të drejtë të inspirohet dhe të veprojë pa frikë, i udhëhequr edhebnga integriteti i Churchill-it kur deklaronte: “Për parimet i ndryshoj partitë, por për partitë nuk i ndryshoj parimet.”
E dyta, ka një fushatë të mirëdirigjuar për ta goditur Elisën që në hapat e para që të tërhiqet. Unë besoj dhe inspiroj që të kemi sa më shumë zëra alternative deri edhe kundërshtues edhe brenda Rilindjes. Aq më tepër që PS-ja është duke u tkurrur nga keqqeverisja e vendit, për shkak të korrupsionit dhe sidomos nga kapja e shtetit.
Përballë këtyre sulmeve të divizioneve digjitale shpifëse të patronazhistëve nepotikë, të sponsorizuar edhe nga krimi, për Elisën, Erionin për mua në konkurrimin si i pavarur për kryetar bashkie në Vlorë, vlen shumë shprehja e Gëtes: “Ke humbur pasurinë?
Ke humbur pak.
Ke humbur nderin?
Ke humbur shumë.
Ke humbur guximin? Atëherë më mirë të mos kesh lindur fare!”
Elisa duhet të vlerësojë rëndësinë e momentit. Nëse inspirohet nga modeli hungarez, duhet kujtuar se Orbán u mund duke i dalë përballë, jo nga brenda, sepse sipas Senekës: “Nuk ka skllavëri më të turpshme se ajo e vullnetshmja.”
Rilindasit nuk duan të nxitojnë ta përjashtojnë Elisën vetëm për një qëllim: T’i lënë sa më pak kohë të organizohet për një alternativë të re politike përballë Ramës. Momenti, qartësia, vendosmëria, aftësia inspiruese dhe sfiduese
janë kolonat ku Elisa, por jo vetëm Elisa, mund të nisë një lëvizje të re politike përballë pushtetit absolut dhe të babëzitur të rilindasve, që vetëm rilindje nuk janë.
Sepse rilindasit e vërtetë vunë veten e tyre në shërbim të Shqipërisë, ndërsa këta po e shfrytëzojnë papërgjegjshmërisht vendin përmes një pushteti absolut që korrupton në mënyrë absolute.
Një apel për socialistët rilindas që u verbuan nga pasurimi i shpejtë deri dhe kriminal, vjen nga pastori gjerman
Martin Niemöller kur apelonte: “Kur erdhën për komunistët, unë nuk fola, sepse nuk isha komunist. Kur erdhën për socialistët, unë nuk fola, sepse nuk isha socialist. Kur erdhën për sindikalistët, unë nuk fola, sepse nuk isha sindikalist. Kur erdhën për hebrenjtë, unë nuk fola, sepse nuk isha hebre. Kur erdhën për mua, nuk kishte mbetur më askush të fliste.”
Ky do te jete fati i deputeteve qe vetë shërbejnë, jo si deputet te votuesve por si skllevër vullnetarë te kryetarit të partisë. Ditë të mbarë!
