Nga Sejdin Cekani
Herë pas here postoj shënime të shkurtra për disa tipare të ngulitura thellë në ndërgjegjen tonë kolektive e që na mbajnë peng si shoqëri. Sigurisht, iu rikthehem shpesh, me idenë se ato jo vetëm që nuk janë të reja, por përsëriten përditë e më shumë. I kemi të trashëguara, por janë bërë më të dukshme, sidomos tani, kur komunikimi është bërë më i shpejtë, ndërsa reflektimi më i cekët. Në kohën që jetojmë, në vend që të përparojmë drejt një kulture qytetare më të hapur, shpesh duket sikur jemi mbyllur edhe më shumë në një gjeratore paragjykimesh, mosbesimi dhe agresiviteti të pashpjegueshëm.
Një nga të metat tona më të dukshme është mungesa e sinqeritetit në marrëdhëniet tona. Ne rrallë i themi gjërat ashtu siç janë. Në vend të një komunikimi të ndershëm, kemi ndërtuar një lloj “kulture” interesi apo të nënkuptuar. Ndonjëherë edhe “kulturën” e heshtjes së qëllimshme dhe të dyfytyrësisë. Për pasojë, kjo e bën bashkëjetesën më të vështirë dhe e gërryen besimin, çka është elementi thelbësor që e bën çdo komunitet që të funksionojë.
Por, edhe kur nuk heshtim, shpesh shpërthejmë. Jemi heshtanakë për çështje madhore, për padrejtësitë që kërkojnë reagim të fortë dhe qëndrim, por bëhemi të zhurmshëm dhe agresivë në përditshmëri, për gjëra të vogla e pa rëndësi. Kjo kontradiktë – heshtje aty ku duhet reagim dhe shpërthim aty ku duhet maturi – është një nga shenjat më domethënëse e më të qarta të mungesës së emancipimit qytetar.
Një tjetër tipar shqetësues është mosbesimi i thellë ndaj tjetrit. Ne jetojmë me një lloj paranoje sociale, sikur gjithkush është kundër nesh, sikur çdo sukses i tjetrit është një kërcënim për ekzistencën tonë. Në këtë klimë, bashkëpunimi bëhet i vështirë, ndërsa solidariteti thuajse i pamundur. Sepse ne nuk dimë të gëzohemi për arritjet e tjetrit, por shpesh ushqejmë një lloj smire që na gërryen nga brenda.
Kjo smirë, e shoqëruar me një ndjenjë të fortë inati dhe hakmarrjeje, e shndërron marrëdhënien me tjetrin në një lloj beteje të heshtur, sepse suksesi nuk shihet si frymëzim, por si provokim. Ai që ngrihet, duhet “ulur” patjetër, madje sa më parë. Ai që dallohet, duhet “sfumuar” me çdo kusht. Dhe kjo nuk ndodh vetëm në rrafshin publik, por deri edhe në marrëdhëniet familjare e shoqërore. E gjitha kjo është një dramë e vogël e përditshme që përsëritet në forma të ndryshme.
Ndërkaq, nuk mungon as servilizmi, një tjetër sëmundje e trashëguar dhe e ushqyer ndër vite. Përpara pushtetit përkulemi, përpara të fortit heshtim, ndërsa ndaj të barabartit tregohemi të ashpër dhe duam ta poshtërojmë. Ky deformim moral krijon një shoqëri ku vlerat përmbysen. Nuk vlerësohen meritat, por lidhjet e ndryshme. Nuk i falemi dinjitetit, por i përulemi interesit, sepse nuk vlerësojmë atë çka është e drejtë, por favoret e vogla që shiten si privilegje.
Këto tipare nuk kanë lindur në boshësi. Ato ushqehen nga mungesa e edukatës dhe, mbi të gjitha, nga mungesa e një shkollimi cilësor. Kur shkolla nuk arrin të formojë mendje kritike dhe karaktere të qëndrueshme, shoqëria prodhon individë të pasigurt, të manipulueshëm dhe që priren drejt konformizmit. Një individ i paformuar është lehtësisht i cenueshëm nga frika, nga propaganda dhe nga interesat e çastit.
Po aq i rëndësishëm është edhe roli i mjedisit social, por ai shpesh është i ngarkuar me negativitet. Në rrugë, në institucione dhe në hapësirat publike mungon kultura elementare e mirësjelljes. Një buzëqeshje, një përshëndetje, një gjest i vogël respekti duket sikur është luks. Në vend të tyre, shpesh na shfaqen para vetes ftohtësia, nervozizmi dhe një gatishmëria e çuditshme për konflikt.
Kjo klimë toksike nuk është vetëm pasojë e problemeve ekonomike, siç justifikohemi shpesh. Ka shoqëri më të varfra se ne, por që ruajnë respekt dhe ndjeshmëri më të lartë njerëzore. Problemi ynë është më i thellë. Ai lidhet me mënyrën si e shohim tjetrin. Pra, nuk e shohim si partner në një bashkëjetesë të përbashkët, por si rival, si pengesë, ndonjëherë edhe si armik.
Dhe këtu lind një pyetje thelbësore: a jemi të gatshëm të reflektojmë? Sepse problemi më i madh nuk janë vetëm këto të meta, por refuzimi për t’i pranuar ato. Ne priremi që përherë ta gjejmë fajtorin jashtë vetes: tek tjetri, te sistemi, te rrethanat.
Emancipimi i shoqërisë sonë nuk është ndonjë proces që do të presim të na vijë “nga lart” me ndonjë dekret apo “reformë”. Ai fillon nga individi, nga mënyra si komunikon, si respekton tjetrin, si reagon ndaj suksesit, si përballet me dështimin. Një shoqëri nuk ndryshon vetëm duke ndryshuar ligjet, por duke ndryshuar sjelljen e përditshme të njerëzve të saj.
Ndaj, në vend të heshtjes së gjatë dhe shpërthimeve të kota, na duhet një kulturë e re dialogu. Në vend të inatit dhe smirës, duhet të përpiqemi për ta kuptuar tjetrin dhe për të bashkëpunuar. Në vend të servilizmit, na duhet dinjiteti, ndërsa në vend të mosbesimit na duhet besimi ndaj tjetrit.
Nëse do të vazhdojmë të ushqejmë mllefe, servilizëm dhe mosbesimi, nuk kemi pse të çuditemi për degradimin e përgjithshëm që na ka rrethuar e na ka kapluar. Një shoqëri që nuk ushqen e nuk përkrah mendimin e lirë, por nënshtrimin, që nuk nderon dijen, por mediokritetin, ajo është e dënuar ta riciklojë dështimin si fat. Dhe më e rënda është se, pastaj, këtë dështim nuk do ta përjetojmë si alarm, por si normalitet. Kur injoranca bëhet zë publik dhe kultura tërhiqet pas e tkurret në heshtje, themelet e shoqërisë vërtet nuk bien menjëherë, po ndërkaq ato kalben ngadalë, derisa një ditë mund të zgjohemi pa orientim, pa besim dhe pa të ardhme.
