Last Updated on 29/04/2026 by EL
Në këtë pikë, jemi tashmë 25 vjet në mes të një etheje për arin.
Ajo nxitet nga figura mediatike si Tucker Carlson — i cili tani po shet ar — dhe nga institucione më tradicionale si bankat qendrore dhe menaxherët e mëdhenj të investimeve në vendet e pasura. Ata ua shesin klientëve që po blejnë pothuajse për të njëjtën arsye: kanë frikë se gjithçka tjetër — aksionet, obligacionet, madje edhe dollari — mund të humbasë vlerë përballë formave të ndryshme të paqëndrueshmërisë, si lufta ose sulmet terroriste.
Por kjo ethe për arin ka pasur një efekt anësor ironik: ka çuar në një valë minierash shkatërruese që financojnë luftëra dhe sulme terroriste.
Ari financon luftën brutale civile në Sudan dhe pushtimin rus të Ukrainës. Rritja e çmimit të arit ka ndihmuar Venezuelën dhe Iranin të zbusin efektet e sanksioneve financiare. Minatorët ilegalë po shpyllëzojnë dhe ndotin Amazonën, duke helmuar njerëzit atje me merkur. Edhe grupet terroriste po hyjnë në biznesin e arit.
Shkurtimisht, njerëzit dhe qeveritë e pasura blejnë ar për të gjetur strehë nga dhuna dhe paqëndrueshmëria — dhe duke bërë këtë, ushqejnë më shumë dhunë dhe më shumë paqëndrueshmëri.
Kjo mund të tingëllojë si një lidhje abstrakte, dhe ndonjëherë është e tillë. Por ndonjëherë nuk është. Siç zbuluam unë dhe kolegët e mi në një investigim që botuam këtë javë, ndonjëherë kjo merr formën e Monedhës Kombëtare të SHBA-së që blen dhe shet ar që vjen nga miniera të drejtuara nga kartelë droge në Kolumbi.
Minatorët e quajnë fermën La Mandinga, një emër për një shpirt të lig. Kur e vizitova së bashku me kolegë, pamë qindra minatorë që nxirrnin ar duke shkatërruar tokën me zorrë uji me presion të lartë dhe ekskavatorë, si dhe duke përdorur merkur për të ndarë arin nga rëra.
Për tetë vitet e fundit, karteli më i madh i Kolumbisë, Clan del Golfo, ka kontrolluar La Mandinga-n. Askush nuk nxjerr ar pa lejen e kartelit dhe të gjithë paguajnë. (Karteli e quajti këtë një “taksë” në një deklaratë që publikoi pasi doli investigimi ynë.)
Minierat e hapura të fermës janë njëkohësisht ilegale dhe shkatërruese për mjedisin. Clan del Golfo përdor gjithashtu të ardhurat për të ruajtur kontrollin mbi territorin e tij përmes vrasjeve dhe bombardimeve.
Institucione si Monedha Kombëtare e SHBA-së (U.S. Mint) nuk supozohet të kontribuojnë në gjëra të tilla. Shitësit e mëdhenj të arit që furnizojnë qeveritë e pasura dhe investitorët kanë politika të detajuara për të mbajtur arin kriminal jashtë zinxhirit të tyre të furnizimit dhe staf të përhershëm për t’i zbatuar këto politika. Madje, U.S. Mint është e detyruar me ligj që monedhat e saj të nivelit të investimit t’i prodhojë vetëm nga ar i nxjerrë në SHBA.
Por për dekada me radhë, ajo ka bërë sikur nuk e sheh faktin që ar nga burime të huaja — disa joetike ose ilegale — ka hyrë në uzinën e saj në West Point, Nju Jork, për t’u shkrirë dhe për t’u kthyer në monedha.
Monedha prodhon monedha me figurën e Lady Liberty duke përdorur ar nga dyqane pengjesh në Meksikë dhe Peru, si dhe nga një minierë në Kongo që është pjesërisht në pronësi të qeverisë kineze, sipas dokumenteve dhe intervistave. Një pjesë e arit të përdorur nga Mint ka ardhur edhe nga një kompani në Honduras që ka gërmuar një varrezë indigjene për të nxjerrë mineralin poshtë saj.
Mint mund ta bëjë këtë falë një lloj manovre teknike që përfshin një zinxhir të gjatë furnizuesish dhe një përpjekje për të ripërcaktuar kuptimin e “arit amerikan”, duke përfshirë edhe arin e huaj — për sa kohë që furnizuesi i arit të huaj blen gjithashtu ar amerikan.
Por ndoshta po aq e rëndësishme sa mënyra se si Mint e bën këtë është edhe arsyeja pse ajo dhe furnizuesit e saj veprojnë kështu. Çmimi i arit është tani aq i lartë saqë edhe blerësit institucionalë më prestigjiozë nuk kanë shumë nxitje për të hetuar me kujdes se nga vjen ai.
Një biznes me marzh të ulët fitimi
Nuk është vetëm Monedha Kombëtare e SHBA-së (U.S. Mint) që angazhohet në këto praktika. Në investigimin tonë zbuluam gjithashtu se edhe Royal Canadian Mint, e cila pretendon se përdor teknologji të avancuara për të gjurmuar origjinën e arit të saj, bën të njëjtën gjë. Edhe Kanadaja po blen ar nga kartelët.
Përhapja e kësaj praktike tregon sa e vështirë është ta ndalosh.
Ari është një mall tregtar (commodity), dhe kjo e bën industrinë e arit një biznes me marzh të ulët fitimi. Rafineritë e mëdha që furnizojnë si Monedhën amerikane ashtu edhe atë kanadeze nuk mund të kërkojnë shumë më tepër sesa çmimi që mbizotëron në tregun botëror.
Në skajin tjetër të zinxhirit të furnizimit, minatorët gjysmë të zhveshur që punojnë në baltë për të nxjerrë disa gramë ar në ditë marrin rreth 90 për qind të atij çmimi botëror. Midis minatorit dhe rafinerisë ndodhen një ndërmjetës i vogël, një eksportues në Kolumbi, kompani sigurie dhe transporti, si dhe një ndërmjetës në Teksas.
Çdo hallkë merr një pjesë të vogël të fitimit; nuk mbetet shumë deri sa ari të arrijë te rafineria e madhe. Dhe meqë ata nuk mund ta rrisin çmimin, mënyra e vetme për të fituar më shumë para është që të gjithë në këtë zinxhir — nga minatori te ndërmjetësi e deri te rafineria — të përpunojnë më shumë ar.
Në një sistem të tillë, pak janë të gatshëm të refuzojnë furnizime edhe kur ato janë të dyshimta. Dhe kështu cikli vicioz që ushqen gjithë këtë — ankthi që i shtyn njerëzit të blejnë ar, që rrit çmimin e arit, që nxit minierat ilegale, të cilat financojnë terroristë, drogë dhe diktatorë — vazhdon të rrotullohet.
Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan dje se do të largohen nga OPEC pas më shumë se 50 vitesh, një vendim që pritet të dobësojë ndikimin e kartelit të naftës.
United Arab Emirates, i cili prodhon rreth 12 për qind të prodhimit të përgjithshëm të OPEC-ut, kishte hedhur prej kohësh idenë e largimit nga karteli, duke u ankuar se kuotat e vendosura i kishin kufizuar eksportet e naftës. Tani pritet që vendi të rrisë prodhimin e energjisë.
Ky tronditje vjen në një moment tensioni gjeopolitik të shkaktuar nga lufta me Iran, e cila ka bërë që çmimet e naftës dhe gazit të rriten ndjeshëm. Vendimi ka tronditur rajonin, duke theksuar se Emiratet e Bashkuara Arabe , në mosmarrëveshje me Arabine Saudite po ndjekin gjithmone e me shume nje kurs te vetin./et
