Aktori i njohur amerikan Patrick Muldoon ka ndërruar jetë më 19 prill si pasojë e një infarkti në zemër, sipas certifikatës së vdekjes të siguruar nga mediat ndërkombëtare.
Dokumenti zyrtar tregon se shkaku kryesor ishte infarkti i miokardit, i njohur ndryshe si atak në zemër. Si faktorë shoqërues përmenden embolia pulmonare dhe një koagulopati e trashëguar, një gjendje gjenetike që ndikon në formimin e mpiksjeve të gjakut. Embolia pulmonare është një bllokim i arteries në mushkëri, zakonisht i shkaktuar nga një mpiksje gjaku.
Sipas të dhënave, trupi i aktorit është kremuar më 28 prill.
Muldoon u bë i njohur për publikun me rolin e Austin Reed në serialin Days of Our Lives gjatë viteve 1992–1995, rol të cilin e riktheu edhe në vitin 2011 pas një pauze të gjatë. Ai gjithashtu interpretoi personazhin Richard Hart në Melrose Place, si dhe pati role në Saved by the Bell dhe filmin kult Starship Troopers.
Pak ditë para ndarjes nga jeta, Muldoon kishte ndarë në rrjetet sociale entuziazmin për projektin e tij më të fundit filmik “Kockroach”, ku përfshiheshin aktorë të njohur si Chris Hemsworth dhe Taron Egerton.
Lajmi për vdekjen e tij u konfirmua më herët nga menaxheri për mediat, duke theksuar se aktori ndërroi jetë papritur. Pas publikimit të lajmit, shumë kolegë dhe miq shprehën ngushëllimet e tyre në rrjetet sociale, ndër ta edhe Alison Sweeney dhe Lisa Rinna, të cilat e kujtuan si një person të talentuar dhe zemërgjerë.
Patrick Muldoon lë pas partneren e tij Miriam Rothbart, prindërit dhe familjarët e afërt./mxh
