Udhëheqësi suprem i Iranit bëri një deklaratë me shkrim e cila u lexua në televizionin iranian këtë të enjte. Mojtaba Khamenei, gjendja shëndetësore e të cilit mbetet e paqartë, paralajmëroi një kapitull të ri për Gjirin Persik dhe Ngushticën e Hormuzit pa Shtetet e Bashkuara, duke thënë se kjo do të sillte paqe dhe prosperitet.
“Ne dhe fqinjët tanë përtej ujërave të Gjirit Persik dhe të Omanit ndajmë një fat të përbashkët. Të huajt që vijnë nga mijëra kilometra larg për të vepruar me lakmi dhe keqdashje nuk kanë vend aty, përveçse në fund të ujërave të tij”.
Më tej, Khamenei tha se Irani do të ruajë të gjitha aftësitë e tij bërthamore dhe raketore, një kundërshtim i hapur ndaj kushtit parësor të presidentit amerikan për paqe.
Deklarata vjen në një kohë që Trump po shqyrton rifillimin e operacioneve të mëdha ushtarake në Iran si një mënyrë për ta presionuar Republikën Islamike drejt rikthimit në negociata.
Sipas agjencisë së lajmeve Axios, Trump do të marrë sot një informim nga komandanti i Komandës Qendrore, Admirali Brad Cooper, mbi planet e reja.
Planet përfshijnë një valë sulmesh të shkurtra dhe të fuqishme ndaj objektivave iraniane, marrjen nën kontroll të një pjese të Ngushticës së Hormuzit, operacion që mund të përfshijë edhe forca tokësore dhe një operacion të forcave speciale për të siguruar rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit.
Ndërkohë, çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë bërë një tërheqje të lehtë nga vlerat rekord të arritura këtë të enjte. Në mesditë, nafta e papërpunuar Brent u shit me rreth 115 dollarë për fuçi, nga 126 që ishte gjatë natës./mxh
