Një prej protagonistëve të serialit të famshëm “Vampire Diaries”, Ian Somerhalder, ka zbuluar se ai dhe gruaja e tij, aktorja Nikki Reed, u zhytën në borxhe të mëdha dhe gjetën një mënyrë për t’ia dalë mbanë.
“Unë u tërhoqa nga aktrimi shtatë vjet më parë. E lashë një karrierë jashtëzakonisht fitimprurëse në televizion pas trazirave financiare nga ndërtimi i një biznesi që nuk e ndërtova siç duhet. Dhe për shkak të mashtrimit, kjo na futi mua dhe gruan time në një gropë me tetë shifra”, pohoi aktori për E! News së fundmi.
Somerhalder pranoi se borxhi ishte “një gropë e vështirë për t’u dalë”, duke bërë të ditur se ndihma e bashkëshortes së tij, Reed, ishte thelbësore që ai të rikthehej në rrugën e duhur.
“Por unë dhe Nikki ia dolëm. E dini, ajo negocioi për të na nxjerrë nga kjo marrëveshje, por ne shitëm shtëpi, piktura, makina, ora, gjithçka”, deklaroi Somerhalder.
Përpara se të niste një lidhje me aktoren e “Twilight”, Somerhalder ndërtoi një kompani energjie të pastër, ndërsa luante rolin e Damon në “The Vampire Diaries” përgjatë viteve 2009–2017, duke zbuluar vetëm në maj të vitit 2021 se kishte një sipërmarrje biznesi në të cilën ai investoi “shumë”, ndërsa u dha “garanci të mëdha personale bankave”.
“Gjërat shkuan keq për shkak të lakmisë dhe mashtrimit brenda asaj kompanie dhe aktiviteteve mashtruese nga klienti ynë më i madh”, pohoi aktori.
Ai shpjegoi se kolapsi i përkohshëm i industrisë së naftës dhe gazit në atë kohë ishte pika e fundit që ia theu shpinën financiare. Ish-ylli i kinemasë tha në intervistën e tij të fundit se “gjithçka u shemb” pasi u bëri premtime huadhënësve që nuk mundi t’i mbante.
Somerhalder më parë ia atribuoi Reed-it mbështetjen e saj të palëkundur.
“Kjo grua këtu vendosi që nuk donte ta shihte burrin e saj të shkatërronte trupin, mendjen, shpirtin e tij dhe u përfshi në atë çështje, duke mbledhur një ekip për t’u ulur në tryezën e negociatave për të gjetur një rrugëdalje. Ajo ia kushtoi jetën e saj nxjerrjes sime nga ajo rrëmujë dhe kjo pothuajse ‘e vrau’ atë gjatë rrugës”, shkroi ai më herët në një postim në Instagram.
Çifti festoi së fundmi 11-vjetorin e martesës. Ata u martuan më 26 prill 2015 dhe tashmë janë prindër të një vajze 8-vjeçare dhe të një djali 2-vjeçar./mxh
