Last Updated on 30/04/2026 by EL
Baza Ajrore Taktike e NATO-s në Kuçovë u shndërrua në qendrën e festimeve për 75-vjetorin e krijimit të Aviacionit Ushtarak Shqiptar. Ceremonia jubilare bëri bashkë krerët më të lartë të shtetit, përfaqësues të aleatëve dhe veteranë të fluturimit, për të nderuar një histori që nisi në prillin e vitit 1951 dhe që sot po shkruan kapitujt e modernizimit sipas standardeve të Aleancës.
Në këtë aktivitet morën pjesë presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral-lejtnant Arben Kingji, si dhe familjarë të dëshmorëve të atdheut.
Gjatë fjalës së tij, presidenti Begaj vlerësoi rrugëtimin transformues të Forcës Ajrore, duke vënë theksin te partneriteti strategjik me SHBA-në dhe NATO-n. Ai e cilësoi planin e modernizimit si një domosdoshmëri për sigurinë kolektive.
“Modernizimi i flotës me helikopterë, zhvillimi i kapaciteteve GBAD (mbrojtja ajrore e bazuar në tokë) dhe ngritja e Detashmentit të Avionëve pa Pilotë janë investime me të cilat kemi hapur një kapitull të ri. Forca Ajrore nuk është vetëm garant i sovranitetit, por kontribues aktiv në sigurinë e NATO-s,” u shpreh presidenti Begaj.
Ministri i Mbrojtjes Nufi foli për një investim të rëndësishëm të qeverisë shqiptare, rihapjen e Shkollës së Aviacionit në Vlorë pas dy dekadash. Shkolla e Aviacionit do të përgatisë pilotë ushtarakë dhe civilë, si dhe kontrollorë ajrorë duke ruajtur traditën e aviacionit ushtarak në vend.
“Ringritja e Shkollës së Aviacionit është një hap i domosdoshëm për të garantuar vazhdimësinë e traditës dhe përgatitjen e brezave të rinj të pilotëve dhe specialistëve.”, u shpreh ministri Nufi.
Më tej, ministri i Mbrojtjes Nufi u shpreh se modernizimi i kapaciteteve ekzistuese është prioritet strategjik, i lidhur drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare, duke nënvizuar se po punohet për përmirësimin e sistemeve të radarëve dhe forcimin e mbrojtjes kundërajrore. Sipas ministrit, baza ajrore taktike e Kuçovës mbetet një pikë kyçe strategjike për Shqipërinë dhe për vetë Aleancën, që rrit rolin e Shqipërisë në rajon.
“Modernizimi i kapaciteteve janë pikërisht investimi në mjete, në teknologji dhe në sisteme që janë thelbësore për të rritur gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë me aleatët tanë.
Zhvillimi i kapaciteteve të reja, sidomos i mjeteve pa pilot, modernizimi i sistemeve të radarëve, forcimi i mbrojtjes kundërajrore, si elementë shumë të rëndësishëm dhe krucial për realitetin e sotëm të sigurisë. Dhe së fundmi, konsolidimi i aseteve strategjike, si baza ajrore e Kuçovës, ku ne sot kemi zgjedhur pikërisht për të bërë festimin e 75-vjetorit të Forcës Ajrore, i cili nuk është një aset vetëm kombëtar shqiptar, por është edhe një aset për të gjithë Aleancën Ushtarake të NATO-s, një kontributor i paqes dhe një tregues i forcës ushtarake”, u shpreh ministri Nufi.
Duke u ndalur te etapat e historisë së transformimit të Forcës Ajrore, ministri i Mbrojtjes Nufi, vlerësoi kontributin e pilotëve, teknikëve dhe specialistëve që kanë shërbyer me përkushtim e sakrificë, në shërbim të Atdheut, duke dhënë edhe jetën në krye të detyrës.
Rihapja e “Shkollës së Aviacionit” në Vlorë
Një nga lajmet kryesore të ceremonisë ishte njoftimi i ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi, për rihapjen e Shkollës së Aviacionit në Vlorë pas dy dekadash. Ky institucion do të shërbejë për përgatitjen e pilotëve ushtarakë dhe civilë, si dhe kontrollorëve ajrorë, duke siguruar brez pas brezi vazhdimësinë e traditës.
Ministri Nufi nënvizoi se Baza e Kuçovës nuk është më thjesht një aset kombëtar, por një pikë kyçe strategjike për të gjithë Aleancën e NATO-s në rajonin e Ballkanit.
Nga Lapraka në Kuçovë, 75 vite histori
Historia e Aviacionit Shqiptar nisi zyrtarisht më 24 prill 1951, kur piloti Peço Polena realizoi fluturimin e parë në hapësirën ajrore shqiptare me avionin tip JAK-9P.
Po atë ditë u krijua Skuadrilja e parë Luftarake në aerodromin e Laprakës, nën komandën e Babaçe Faikut, e pajisur me 12 avionë. Nga ato fillime modeste, sot Shqipëria operon me teknologji moderne, sisteme radarësh të avancuar dhe një bazë taktike që qëndron në zemër të operacioneve të NATO-s./et
