Kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Enkel Rexhepi, ka njoftuar se Qeveria serbe ka bllokuar transferet dhe donacionet nga Kosova, që për qëllim kanë zhvillimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar në Luginë.
Nuk bëhet fjalë për një çështje teknike. Bëhet fjalë për bllokimin e fondeve nga Qeveria e Kosovës, që prekin drejtpërdrejt 3650 nxënës, 94 fëmijë pa prind, 957 bujq, mbi 756 studentë, 139 organizata joqeveritare dhe mijëra qytetarë që varen nga këto programe”, ka shkruar Rexhepi.
Sipas tij, faktet dëshmojnë që kjo po ndodhë nëpërmjet bankës nga Qeveria e Serbisë dhe ministri Demo Berisha.
Lidhur me këtë, nga Qeveria e Republikës së Kosovës kanë deklaruar se janë ndërmarrë hapat konkretë për të njoftuar Bashkimin Evropian dhe faktorët relevantë ndërkombëtarë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës dënon fuqishëm bllokimin e vazhdueshëm të mjeteve financiare të destinuara për Këshillin Kombëtar Shqiptar, duke e konsideruar këtë si ndërhyrje të papranueshme në funksionimin e një institucioni legjitim përfaqësues të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ky është rasti i dytë që mjetet e ndara nga Qeveria e Kosovës pengohen në mënyrë të pajustifikuar, duke dëshmuar për një model të përsëritur të bllokimit institucional”, deklaroi qeveria./mxh
