Miliarderi amerikan Elon Musk ka bërë deklarata të forta lidhur me origjinën e konfliktit në Ukrainë, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara për përfshirje në rrëzimin e presidentit të atëhershëm ukrainas, Viktor Yanukovych, në vitin 2014.
Deklaratat u bënë gjatë një interviste në forumin DealBook, të organizuar nga gazeta amerikane The New York Times, ku Musk foli për shkaqet e luftës, rolin e Uashingtonit dhe vazhdimin e konfliktit mes Ukrainës dhe Rusisë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve mbi përgjegjësinë për krizën, Musk e cilësoi Rusinë si agresore nga këndvështrimi i pushtimit, por pretendoi se edhe SHBA-ja kishte ndërmarrë veprime ofensive duke ndikuar në ndryshimin e pushtetit në Kiev.
“Është gjithashtu e vërtetë se ne, amerikanët, organizuam një grusht shteti për të rrëzuar presidentin pro-rus të Ukrainës, të zgjedhur në mënyrë demokratike. Pa ndihmën e Departamentit të Shtetit të SHBA-së dhe agjencive të tjera, kjo nuk do të kishte ndodhur. Ky është qartësisht një veprim ofensiv”, deklaroi Musk.
Miliarderi u ndal edhe te përshkallëzimi i luftës, duke kritikuar qëndrimet në Perëndim që, sipas tij, justifikojnë çdo veprim kundër Rusisë dhe nuk tregojnë të njëjtën ndjeshmëri për viktimat në të dyja palët.
Ai tha se e shqetëson vazhdimi i një konflikti ku mijëra të rinj dërgohen drejt vijës së frontit, ndërsa situata territoriale mbetet kryesisht e pandryshuar./ad
