Last Updated on 19/11/2026 by Anisa
Ministri Blendi Gonxhja prezantoi sot projektligjin e ri “Për donacionet dhe sponsorizimet” në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet. Ligji i ri do të zëvendësojë ligjin nr. 7892 të vitit 1994. Sipas ministrit ky ligj “i përket një realiteti krejt të ndryshëm”.
Ndryshimi kryesor është lehtësia tatimore. Bizneset që sponsorizojnë aktivitete në kulturë, art dhe sport do të mund të zbresin deri në 30% të tatimit mbi fitimin që kanë paguar vitin e kaluar. Sot kjo lehtësi është vetëm 5%. Sipas ministrit, ky kufi i ulët e ka mbajtur kapitalin privat larg këtyre sektorëve. Si pasojë, ata kanë mbetur pothuajse tërësisht të varur nga buxheti i shtetit.
Lehtësia ka dy kufij. Një biznes nuk mund të përfitojë për më shumë se 30 milionë lekë sponsorizime në vit. E gjithë skema ka një tavan prej 2 miliardë lekësh në vit. Ministria do të publikojë çdo muaj sa është përdorur nga ky tavan. Kur tavani arrihet, nuk lëshohen më vërtetime për lehtësinë tatimore deri në fund të vitit. Bizneset mund të vazhdojnë të sponsorizojnë, por pa lehtësinë tatimore. Sipas ministrisë, 2 miliardë lekë nuk janë kosto për buxhetin. Ato janë vlera maksimale e sponsorizimeve që mund të hyjnë në skemë.

Ministri Gonxhja e quajti projektligjin “një kapërcim konceptual”. Sipas tij, ligji kalon nga bamirësia e rastit drejt një partneriteti të strukturuar mes shtetit, biznesit dhe shoqërisë.
Për të treguar pse duhet financim privat, ministri solli shifra nga sporti. Në vitin 2024, sporti në Shqipëri u financua me rreth 448 milionë lekë. Vetëm rreth 50 milionë lekë prej tyre, pra 11,2%, erdhën nga sponsorizimet private. Sipas ministrit, një futbollist në Kategorinë Superiore paguhet rreth 100.000–120.000 lekë në muaj. Në Greqi, një futbollist paguhet rreth 35.000 euro në muaj.
Edhe në kulturë, sipas ministrit, Shqipëria mbetet shumë pas Evropës. Buxheti për artin, kulturën dhe trashëgiminë për vitin 2026 parashikohet rreth 4,8 miliardë lekë. Kjo do të thotë rreth 2.030 lekë për banor. Për krahasim, Polonia shpenzon 28,3 euro për banor, Italia 52,6 euro, Greqia 62,8 euro dhe Sllovenia 127,6 euro. Strategjia Kombëtare e Kulturës 2026–2030 synon të rrisë kontributin e kulturës në ekonomi nga rreth 0,4% e PBB-së në 1–1,25%. Sipas Gonxhes, ky objektiv nuk arrihet dot vetëm me fonde publike.

Ligji i ri lejon gjithashtu që bizneset të mbështesin drejtpërdrejt sportistët dhe artistët që përfaqësojnë Shqipërinë në aktivitete ndërkombëtare.
Eventet dhe turizmi
Ministri e lidhi ligjin edhe me rritjen e turizmit. Sipas tij, Shqipëria priti rreth 12,5 milionë vizitorë të huaj në vitin 2025. Për këtë vit parashikohen mbi 3.000 evente turistike, sportive e kulturore. Kjo është rreth 21% më shumë se një vit më parë.
Ministri dha dy shembuj nga Shqipëria. I pari ishin tri etapat e Giro d’Italia në vitin 2025, ku 42% e spektatorëve qëndruan të paktën një natë në vend. I dyti ishte koncerti i YE në Tiranë. Koncerti mblodhi rreth 60.000 spektatorë, nga të cilët 27.000 ishin vizitorë të huaj nga 88 shtete. Sipas ministrit, deri tani shteti i ka financuar shpesh ngjarje të tilla nga fondi rezervë. Ligji i ri synon që këtë kosto ta ndajë me sektorin privat.

Kush përfiton?
Donacionet mund t’u jepen vetëm organeve publike. Sponsorizimet mund t’u jepen edhe këtyre subjekteve:
organizatave jofitimprurëse;
klubeve dhe shoqërive sportive;
kompanive të filmit dhe industrisë audiovizive;
individëve që përfaqësojnë Shqipërinë në art, kulturë dhe sport;
botuesve të shtypit dhe të veprave letrare, shkencore e enciklopedike.
Partitë politike dhe sindikatat nuk përfshihen në këtë ligj.
Ligji mbulon edhe arsimin, kërkimin shkencor, shëndetësinë, mjedisin, ndihmën humanitare, të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore. Por lehtësia prej 30% vlen vetëm për kulturën, artin dhe sportin. Sipas ministrisë, arsyeja është se këta sektorë krijojnë punë për akomodimin, gastronominë, transportin dhe tregtinë. Shërbimet sociale, shëndetësia dhe ndihma për familjet në nevojë mbeten përgjegjësi e buxhetit të shtetit.
Ministria nuk zgjedh kush merr sponsorizim

Sipas projektligjit, ministria nuk vendos cili klub, federatë apo artist merr sponsorizim. Këtë marrëveshje e bëjnë vetë biznesi dhe përfituesi. Ministria vetëm verifikon nëse aktiviteti është në fushën e kulturës, artit ose sportit dhe nëse është me interes publik. Vërtetimin e lëshon brenda 15 ditëve. Më pas, administrata tatimore kontrollon nëse sponsori plotëson kushtet për lehtësinë tatimore.
Masat kundër abuzimit
Ministri Blendi Gonxhja tha se projektligji u hartua në konsultim me Komisionin Evropian. Ai përfshin këto masa:
Pa para në dorë: të gjitha donacionet dhe sponsorizimet bëhen vetëm me transfertë bankare.
Regjistri elektronik: krijohet Regjistri Elektronik Kombëtar i Sponsorizimeve, që do ta administrojë DPT-ja dhe do të lidhet me e-Albania. Çdo kontratë regjistrohet brenda 60 ditëve, pavarësisht vlerës.
Institucionet publike: publikojnë kontratat brenda 10 ditëve. Nëse kontrata lidhet në konflikt interesi, ajo është absolutisht e pavlefshme.
Donacionet ndaj organeve publike: kërkojnë marrëveshje me shkrim kur arrijnë 300.000 lekë. Pragu vlen edhe për shumën e të gjitha donacioneve të të njëjtit donator gjatë vitit.
Ndalime: nuk lejohen donacionet anonime. Kompanitë e duhanit, të alkoolit dhe ato që reklamojnë lojërat e fatit nuk mund të sponsorizojnë institucione publike.
Kontrolli i parave: verifikohen pronari përfitues dhe gjendja gjyqësore e sponsorit. Agjencia e Inteligjencës Financiare ka akses në dokumentacion.
Pa reklamë tregtare: sponsori mund të vendosë emrin dhe logon e tij, por nuk mund të reklamojë produktet e veta.
Tatim mbi honoraret: honoraret dhe shpërblimet që paguhen nga paratë e sponsorizimit tatohen në burim.
Viktimat e dhunës: të dhënat për organizatat që ndihmojnë viktimat e dhunës në familje dhe të trafikimit anonimizohen.
“Ky projektligj nuk vjen për të zëvendësuar përgjegjësinë kushtetuese dhe ligjore të shtetit për financimin e kulturës, sportit, arsimit apo shëndetësisë. Përkundrazi, ai vjen për ta plotësuar dhe shumëfishuar atë”, tha ministri Gonxhja para deputetëve./ad
