Kristofer Nkunku duket gjithnjë e më larg Milanit. Sulmuesi francez, i ardhur me pritshmëri të mëdha, nuk arriti të bindë plotësisht, edhe për shkak të problemeve fizike që e kanë ndjekur që prej dëmtimit të rëndë në gju në vitin 2023. Sezoni i tij ka qenë zhgënjyes: vetëm 6 gola në të gjitha kompeticionet dhe paraqitje të paqëndrueshme.
Pavarësisht disa momenteve të mira në dimër, si dopieta ndaj Veronës dhe disa gola të rëndësishëm në kampionat, Nkunku nuk arriti kurrë të bëhej protagonist i vërtetë. Milani, që e bleu për rreth 38 milionë euro plus bonuse, tani është i gatshëm ta shesë për rreth 30 milionë për të shmangur humbjet financiare.
Në janar kishte interes konkret nga Fenerbahçe, që mbetet edhe sot pista më e nxehtë, megjithëse nuk përjashtohet rikthimi i tij në Premier League apo një ofertë nga Arabia Saudite. Ndërkohë, kuqezinjtë planifikojnë të përdorin të ardhurat nga shitja për të përforcuar sulmin. Trajneri Alegri do të zgjedhë profilin e duhur sipas skemës taktike, ndërsa një nga emrat që pëlqehet aktualisht është Alajbegoviç./mxh
