Last Updated on 02/05/2026 by Anisa
Kandidatja në garën për kreun e Partisë Demokratike, Mereme Sela, ka reaguar pas skualifikimit të saj.
Sela ka shkruar se njoftimin për skualifikimin e saj e ka marrë nga mediat, teksa e konsideron të papranueshme. Ajo shton se do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore dhe do të paraqesë ankesë zyrtare për skualifikimin nga gara e PD-së.
“Unë, Mereme Sela, kandidate për kryetare e Partisë Demokratike të Shqipërisë, njoftoj opinionin publik se zgjedhjet për kryetar dhe procedurat përkatëse po manipulohen.
Partia Demokratike nuk mund të vijë në pushtet me një lider “non grata” në Uashington dhe Londër.
Njoftimin për skualifikimin e kam marrë përmes mediave, çka në vetvete është e papranueshme. Ky vendim është i padrejtë dhe i pajustifikuar. Përkundrazi, nëse do të kishte një vlerësim të drejtë dhe në përputhje me statutin e partisë, personi që duhej të ishte subjekt skualifikimi do të ishte z. Berisha.
Për këtë arsye, do të ndjek të gjitha procedurat ligjore në dispozicion dhe do të paraqes ankesën time zyrtare. Megjithatë, bazuar në përvojat e mëparshme, nuk pres një reagim apo përgjigje serioze nga Partia Demokratike, pasi kjo ka qenë një praktikë e përsëritur ndër vite.
Kjo mënyrë veprimi është një ndër arsyet kryesore pse Partia Demokratike ndodhet në këtë situatë sot.
Duke ju falënderuar për mbështetjen!“, ka reaguar ajo.
