Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ka publikuar vendimin e gjykatës britanike, për të cilin thotë se kreu i PD Sali Berisha, është i lidhur me krimin e organizuar dhe si politikan i ka përdorur këto lidhje për influencë politike.
Salianji gjithashtu ka risjellë në vëmendje akuzat e kreut të PD, i cili nga Dibra tha se ish-deputeti ka drekuar dhe darkuar me njerëz që PD dhe ai vetë ka sulmuar më shumë si Suel Çela apo Pëllumb Gjoka.
Salianji thekson se takimi i Berishës në Dibër ishte thjesht një shfaqje që tregonte qartë se Berisha është uzurpator dhe se nuk bën garë në parti, duke shtuar se tashmë është një lider që është braktisur edhe nga demokratët.
REAGIMI I PLOTË;
Sali “kolltuku” i damkosur, jo i akuzuar kot!
Sali “kolltuku”, alias Sali “brava”, është sot i vetmi politikan në Partinë Demokratike i faktuar nga një gjykatë perëndimore si i lidhur me krimin e organizuar dhe si politikan që i ka përdorur këto lidhje për influencë politike.
Jo nga gjykatat e kapura të regjimit në Shqipëri.
Por nga qeveri të djathta perëndimore dhe nga gjykata britanike.
Ky është fakt. Jo propagandë.
Shfaqja e sotme në Dibër ishte tabloja më e qartë e rënies dhe tregoi pse ky uzurpator nuk bën garë!
Një sallë që nuk mbush dot as dy kate me 200 persona, megjithëse ishte mbledhur i gjithë qarku.
Një lider i braktisur nga demokratët.
Dhe një monolog i mbushur me mashtrime të vjetra.
Kur të lë populli, të mbetet vetëm zëri… dhe ai kthehet në zhurmë!
I njëjti model, i njëjti mentalitet
Lulzim Basha ishte “familjari i dashur” i Saliut:
e promovoi, e përdori dhe e mbrojti.
Sot, edhe pasi u largua Basha, modeli mbeti po ai:
* i njëjti ekip
* të njëjtat vese
* e njëjta mënyrë përzgjedhjeje deputetësh
* e njëjta “opozitë” që ulet në gjunjë për leje, tendera dhe pazare me Ramën
Ka vetëm një ndryshim:
Saliu sot është i refuzuar nga ndërkombëtarët, nga shoqëria dhe gjithnjë e më shumë nga vetë demokratët.
Prandaj nuk bën garë.
Prandaj ka uzurpuar PD-në si frikacak.
Sepse gara e nxjerr zbuluar dhe humb privilegjet dhe paratë per te cilat shet shpirtin!
Sot nis publikimin e fakteve.
Poshtë është një fakt i zi mbi të bardhë:
Vendimi i gjykatës britanike konfirmon se nuk bëhet fjalë për thashetheme, por për prova të mjaftueshme që lidhin Sali Berishën me korrupsion dhe krim të organizuar.
E vërteta e hidhur;
Ndërkohë që demokratët kërkojnë alternativë dhe fitore,
ata mbahen peng nga një figurë që është shpallur problem sigurie nga aleatët strategjikë të Shqipërisë.
Kjo është drama reale e Partisë Demokratike:
jo përballja me kundërshtarin se atë e mundim, por pengmarrja nga e shkuara
Koha e alibive ka mbaruar.
Ose PD ndahet nga e shkuara e korruptuar,
ose mbetet peng i saj.
