Last Updated on 04/05/2026 by EL
Ish-deputeti Ervin Salianji ka reaguar pas aksidentit të rëndë të ndodhur një ditë më parë, ku humbën jetën dy fëmijë të mitur, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Në një reagim të fortë publik, Salianji e cilëson ngjarjen si një tragjedi që ka tronditur gjithë vendin, duke theksuar se dhimbja e familjeve është e papërshkrueshme. “2 jetë fëmijësh të humbura. Një tjetër në luftë për jetën. Një tragjedi që sot ka thyer zemrat e familjeve dhe ka ulur kokën e gjithë Shqipërisë”, shprehet ai.
Sipas tij, ngjarja nuk është një rastësi, por pasojë e një realiteti të përditshëm ku ligji sfidohet hapur. “Në autostrada, në rrugët e qyteteve, në vijat e bardha, në pedonale, ‘të fortët’ sfidojnë ligjin nga mëngjesi në darkë, duke rrezikuar jetën e qytetarëve”, thekson Salianji.
Ai akuzon institucionet për tolerim dhe mungesë reagimi, duke e cilësuar heshtjen si bashkëfajësi dhe degradim të shoqërisë. Sipas tij, përgjegjësia bie mbi një sistem të dështuar dhe një shtet që, siç shprehet, “është i fortë me të dobëtit dhe i përkulur përballë të fortëve”.
Ish-deputeti shton se nuk mjafton ashpërsimi i ligjeve në letër, por kërkon zbatim real të tyre dhe barazi para ligjit. “Na duhet ndëshkim për ata që drejtojnë të dehur dhe përsërisin krimin, si dhe përgjegjësi për ata që ndërtojnë rrugë të pasigurta”, nënvizon ai.
Në fund të reagimit, Salianji shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe lutet për shërimin e fëmijës që po lufton për jetën./et
