Partia Bharatiya Janata Party (BJP), e udhëhequr nga kryeministri Narendra Modi, ka arritur një fitore historike në shtetin e Bengalit Perëndimor, duke përmbysur dominimin shumëvjeçar të All India Trinamool Congress (TMC) dhe lideres së saj Mamata Banerjee.
Për herë të parë, BJP ka siguruar shumicën në këtë shtet me mbi 90 milionë banorë, duke fituar ose kryesuar në rreth 200 nga 294 vendet në parlamentin lokal.
Rezultati shënon një kthesë të rëndësishme politike, pasi Bengali Perëndimor konsiderohej prej kohësh një bastion i fortë i Banerjee-s dhe politikave të saj që theksojnë pluralizmin fetar dhe mbrojtjen e pakicave. Megjithatë, zgjedhjet e fundit treguan një kombinim faktorësh që favorizuan BJP-në, përfshirë pakënaqësinë ndaj qeverisjes së gjatë të TMC-së, një fushatë më të organizuar dhe polarizimin fetar mes votuesve.
Analistët vërejnë se BJP përfitoi nga ndarjet mes komuniteteve fetare, duke konsoliduar votën hindu, ndërsa TMC u kritikua për favorizim të myslimanëve — një akuzë që ka qenë pjesë e retorikës së BJP-së prej vitesh. Në të njëjtën kohë, shumë votues shprehën pakënaqësi për ndërhyrjen e strukturave partiake në jetën e përditshme dhe mungesën e ofertave të reja politike nga TMC.
Një element tjetër i diskutueshëm ishte rishikimi i listave të votuesve nga Komisioni Zgjedhor i Indisë, ku miliona qytetarë u hoqën nga listat, çka ngriti akuza për diskriminim, veçanërisht ndaj myslimanëve. Edhe pse këto zhvillime mund të kenë ndikuar në klimën zgjedhore, ekspertët theksojnë se fitorja e thellë e BJP-së nuk mund të shpjegohet vetëm nga ky faktor.
Kjo fitore ka pasoja të gjera kombëtare. Pas një rezultati më të dobët në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024, suksesi në Bengalin Perëndimor dhe shtete të tjera forcon pozicionin e Modi-t dhe rrit ndikimin politik të BJP-së në nivel kombëtar, duke dobësuar opozitën.
Nga ana tjetër, Banerjee ka sinjalizuar se nuk do të dorëzohet lehtë, duke akuzuar autoritetet për presion dhe manipulim dhe duke u bërë thirrje mbështetësve të saj të vazhdojnë rezistencën politike. Analistët paralajmërojnë se situata mund të mbetet e tensionuar dhe se përplasjet politike në këtë shtet do të vazhdojnë./mxh
