Nga Fejzo Subashi.
Në një shtet normal, krimi luftohet. Në një shtet të dobët, krimi tolerohet. Por në një vend, ku krimi përsëritet, zgjerohet dhe sfidon hapur ligjin, problemi nuk është më vetëm krimi është mënyra se si shteti reagon ndaj tij.
Prej më shumë se tridhjetë vitesh, shoqëria shqiptare përballet me një realitet të pandryshuar në thelb: Krimi nuk mbijeton vetëm nga forca e tij, por nga hapësira që i lihet, si dhe nga mundësia që i jepet. Dhe kjo hapësirë e mundësi, shpesh nuk është mungesë ligji, por mungesë, pse jo dhe dashamirësi mos, veprimi.
Krimi nuk lind papritur. Ai lind dhe ndërtohet gradualisht, rritet dhe konsolidohet aty ku gjen teren, hapësirë, aty ku mungon reagimi i plotë institucional. Kur individë të njohur për shkelje të ligjit vazhdojnë aktivitetin e tyre në të njëjtat territore dhe në të njëjtat kushte, atëherë nuk kemi më të bëjmë me rastësi. Kemi të bëjmë me një problem sistemik. Në këtë zinxhir, përgjegjësia nuk mund të mbetet e izoluar. Ajo fillon nga niveli më i ulët i zbatimit të ligjit dhe ngjitet deri te strukturat drejtuese. Një polic që nuk vepron, një drejtues që nuk ndërhyn, një strukturë që nuk reagon nuk janë hallka të ndara. Janë pjesë e të njëjtit proces mosveprimi.
Ky mosveprim, qoftë nga paaftësia apo nga neglizhenca, nuk është neutral. Ai prodhon pasoja. Dhe kur këto pasoja janë krime që përsëriten dhe godasin jetën e qytetarëve, atëherë mosveprimi kthehet në përgjegjësi.
Në këtë kuptim, institucionet mbikëqyrëse si Agjencia e Mbikëqyrjes Policore duhet të luajnë rol aktiv dhe jo formal. Nuk mjafton të hetohet vetëm krimi dhe autori i tij; duhet të hetohet edhe historia e mundësimit të tij kush e dinte, kush nuk veproi dhe pse nuk u ndalua më herët.
Një tjetër deformim i rrezikshëm është kthimi i policisë nga një institucion parandalues në një institucion thjesht reagues. Policia nuk mund të jetë vetëm aty për të ndërhyrë pasi krimi ka ndodhur. Detyra e saj thelbësore është parandalimi i tij.
Kur krimi përsëritet në mënyrë të hapur dhe të njohur, nuk kemi më mungesë informacioni , kemi mungesë veprimi, shpesh me dëshirë, pse jo dhe inkurajues, si nga indiferencën, herë nga paaftësia dhe jo pak ka korrupsioni. Pavarësiajt shkakut, mungesa e veprimit nuk është më justifikim, por një formë përgjegjësie.
Prandaj nuk mund të ketë më ndarje të thjeshtë mes “atyre që e kryejnë krimin” dhe “atyre që nuk veprojnë”. Sepse mosveprimi, kur bëhet i përsëritur dhe sistematik, kthehet në pjesë të problemit.
Kjo nuk është akuzë ndaj çdo punonjësi të policisë. Është një dallim i domosdoshëm mes atyre që e ushtrojnë detyrën me përgjegjësi dhe atyre që, për arsye të ndryshme, e dëmtojnë atë. Sepse uniforma nuk është privilegj. Është detyrim. Dhe detyrimi ndaj qytetarit nuk matet me deklarata, por me veprim.
Në fund, ky nuk është vetëm një debat për rendin publik. Është një debat për vetë funksionimin e shtetit.
Sepse krimi nuk bëhet i rrezikshëm vetëm nga ata që e kryejnë. Ai bëhet i qëndrueshëm nga ata që e lejojnë të ndodhë dhe të përsëritet. Tolerimi nuk është një moment i izoluar. Është një proces. Fillon me mosveprim të vogël dhe përfundon në deformim të madh institucional. Dhe kur tolerimi bëhet sistem, krimi nuk është më përjashtim bëhet realitet i përditshëm.
Dhe një shtet që mësohet të jetojë me mosveprimin, rrezikon të humbasë aftësinë për të garantuar sigurinë e vet.
Tiranë më 04.05.2026
