Last Updated on 04/05/2026 by EL
Nga Tom Griffiths, The Guardian
Deri pak kohë më parë, ne njerëzit kemi qenë në gjendje të mburremi në lidhje me aftësitë tona. Asnjë kafshë tjetër nuk di të luajë shah, të shkruajë ese apo të vërtetojë teorema matematikore. Megjithatë, së fundmi, progresi në inteligjencën artificiale duket sikur do mund ta sfidojë imazhin që ne kemi për veten si entitetet më të zgjuara në planet. Sistemet e inteligjencës artificiale jo vetëm që na mundin në lojërat më të ndërlikuara, por mund të shkruajnë edhe një prozë mjaft të strukturuar dhe të fitojnë medalje në matematikë. Drejtuesit ekzekutivë të kompanive të teknologjisë na premtojnë se IA mbinjerëzore është shumë pranë. Ndaj, në një epokë të IA, a mund të themi ende se mendjet njerëzore janë speciale apo thjesht e kemi humbur këtë garë?
Të flasësh për IA mbinjerëzore nënkupton se inteligjenca matet vetëm nëpërmjet një shkalle. Dikur prindërit e mi na e matnin gjatësina mua dhe tim vëllai duke shënuar vija në kornizën e derës. Çdo vit, im vëlla më afrohej nga shtati derisa, një vit, ndodhi ajo që nuk e mendoja se mund të ndodhte dhe ai ma kaloi. Momenti aktual i ngjan pak a shumë kësaj, teksa i shohim këta “kushërinj” të sapolindur me shqetësim se një ditë do të na e kalojnë.
Por inteligjenca nuk është si gjatësia. Ndërsa ka vetëm një mënyrë për të matur gjatësinë, ka shumë mënyra për të qenë i zgjuar. Mjafton të shohim kafshët e tjera për ta kuptuar këtë. Sado të zgjuar të jemi, gjithmonë impresionohemi nga mënyra si zogjtë gjejnë rrugën në fluturim, si bashkëpunojnë milingonat dhe si e gjuajnë merimangat prenë e tyre. Secila nga këto kafshë është formësuar nga mjedisi përreth për të qenë të zgjuara në mënyra të ndryshme.
E njëjta vlen edhe për njerëzit. Mendjet tona janë formësuar nga biologjia. Ne jetojmë vetëm për pak dekada dhe na duhet të mësojmë gjithçka që mund të mësojmë dhe të bëjmë gjithçka që do na duhet të bëjmë gjatë kësaj kohe të shkurtër. I gjithë ky process nxënieje dhe bërjeje do të realizohet nën drejtimin e pothuajse një kilogram neuroneve që gjenden brenda kafkës tonë. Mund t’i ndajmë mendimet tona me të tjerët vetëm duke lëshuar tinguj përmes gojës ose duke kërcitur apo tundur gishtat.
Sistemet e inteligjencës artificiale, nga ana tjetër, nuk hasin asnjë nga këto kufizime. Ato mund të procesojnë më shumë të dhëna se sa çdonjëri nga ne do hasë ndonjëherë gjatë jetës. Kapicetet e tyre mund të rriten duke përdorur më shumë kompjutera dhe mund ta ndajnë lehtësisht me makineri të tjera atë çka shohin dhe mësojnë.
Jetët tona të shkurtra, truri i qullët dhe tingujt që bëjmë me gojë mund të ngjajnë vërtetë si kufizime nëse krahasohemi me makineritë, por në fakt janë pikërisht këto gjëra që na bëjnë të veçantë dhe do vazhdojnë të na bëjnë të tillë.
Inteligjenca njerëzore është një përgjigje ndaj kufizimeve tona. Për të nxjerrë maksimumin nga jetët tona, ne kemi një aftësi fantastike për të mësuaj nga përvoja të kufizuara. Po, është e vërtetë që AlphaGo mund të mundë edhe lojtarët më të mirë njerëzorë në lojën “Go” dhe se ChatGPT mund të zhvillojë një bisedë të arsyeshme, por kjo ndodh sepse mund të thërrasi në ndihmë qindra vite gjuhë njerëzore. Asnjë sistem IA nuk mund të prodhojë fjali me kreativitetin e një fëmije 5-vjeçar kur ekspozohet ndaj të njëjtës sasie të dhënash.
Kjo vlen gjithashtu për trurin dhe aftësistë tona komunikuese të kufizuara. Ne nuk mundet thjesht të lidhemi me një kompjuter shtesë kur na duhet më shumë fuqi procesuese. Kjo do të thotë se duhet të jemi të mirë në njohjen e modeleve në detyrat tona dhe ta përdorim me mençuri vëmendjen tonë. Mbështetja tek tingujt që nxjerrim është një sfidë dhe për ta tejkaluar atë, kemi krijuar mjete – gjuhë, shkrim, mësim dhe shkencë – për të bashkuar dijet përtej njerëzve dhe kohës. Kjo do të thotë se duhet të jemi të zotë në të menduarit rreth asaj çfarë ndodh në kokën e të tjerëve dhe të punojmë së bashku për të arritur qëllime të përbashkëta.
Duke qenë se njerëzit dhe makineritë përballen me kufizime të ndryshme, duhet të presim që të gjejnë zgjidhje të ndryshme ndaj problemeve me të cilat përballen. Edhe pse sistemet bashkëkohore të IA po mësojnë të bëjnë shumë nga gjërat që bëjnë njerëzit, ato shpesh ndjekin një mënyrë krejt tjetër. Zgjidhjet që ato gjejnë formësohen nga përvojat e tyre dhe pajisjet që i mbajnë në punë.
Ja një shembull i thjeshtë. Sa shkronja përmban kjo sekuencë: aaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaa? Për një njeri, kjo nuk është një pyetje edhe aq e vështirë. Mjafton që të dish të numërosh. Ndërsa për një sistem IA, është paksa më e komplikuar. Ata janë të kufizuar nga mënyra se si përfaqësojnë gjuhën dhe si janë trajnuar. Preferojnë që t’i ndajnë fjalët një pjesë më të vogla (të quajtura “tokens), gjë që mund t’iua vështirësojë gjetjen e përgjigjeve në lidhje me gërmëzimin. Ato gjithashtu priren të favorizojnë ato sekuenca pjesësh që shfaqen më shpesh në materialet me të cilat janë trajnuar. Zbuluam se modeli GPT-4 i OpenAI prirej t’i përgjigjej saktë këasj pyetjeje kur i jepeshin 30 gërma dhe jo 29. Pse? Sepse numri 30 shkruhet më shpesh se sa numri 29.
Ky nuk është i vetmi shembull ku IA has në vështirësi. Imagjoni sikur jeni asistent i një farmacisti. Atij i duhet një ilaç me përqëndrim prej 785 pjesësh për million (ppm). Përpara keni dy provëza: njëra përmban 685 ppm dhe tjetra 791 ppm. Detyra juaj është të përcaktoni se cila provëz ka përqëndrimin më të afërt me dozën e kërkuar. Të shpresojmë se do zgjidhnit atë me 791 ppm. Megjithatë, edhe disa nga sistemet më të avancuar IA, në një pjesë të mirë të asteve u ngatërruan. Kur iu jepen dy përgjigje të mundshme, ato zgjedhin diçka të ndërmjetme. Numri 785 mund të jepet si një varg shifrash (“7, “8” dhe “5”), por edhe si sasi (shtëtqëind e tetëdhjetë e pesë). Në rastin e parë, kur jepet si varg shifrash, ai ngjan më shumë me 685, pasi ndryshon vetëm shifra e parë. Në rastin e dytë, është më afër 791. Por ngatërrimi i këtyre dy përgjigjeve mund të japë pasoja serioze.
Inteligjenca njerëzore është rezultat i një sërë përvojash që shkojnë përtej të dhënave të përdorura për të trajnuar sistemet IA. Ne e përdorim trurin kur ndërrojmë pelenat e fëmijëve, kur luajmë shah, kur vërtetojmë teorema, gatuajmë darkën, shkruajmë romane dhe kur kompozojmë simfoni. Sistemet e IA janë trajnuar tipikisht për të bërë vetëm një gjë. Mund ta pyesësh ChatGPT për këshilla rreth pelenave, por ai nuk është i aftë të mbajë me kujdes një të porsalindur që po qan. Truri njerëzor, nga ana tjetër, është në gjendje t’i bëjë të dyja sepse ka evoluuar në një botë, e cila na përball me të gjitha këto sfida, duke na lënë të pajisur mjaftueshëm për të mësuar gjërat që mund të na duhet të bëjmë gjatë jetës.
Jetët tona të përkohëshme, truri i kufizuar dhe aftësite e fundme për të komunikuar, kanë formësuar natyrën e inteligjencës njerëzore. Kështu që mund të presim që trurir njerëzor të vazhdojë të jetë paksa i veçantë, edhe teksa vazhdojmë të zhvillojmë makineri gjithnjë e më të zgjuara. Mos harroni: inteligjenca nuk është një shkallë e vetme, me IA që arrin një ditë shenjën e vendosur nga ne si matje në kornizën e derës./et
