Last Updated on 04/05/2026 by EL
Fabio Capello, një nga trajnerët më të njohur në historinë e futbollit, ka bërë një rrëfim të gjatë dhe pa dorashka mbi karrierën e tij, gjatë një eventi në “Teatro Comunale di Ferrara”. Italiani foli për lojtarët që ka drejtuar dhe takuar, duke mos kursyer aspak kritikat dhe vlerësimet e drejtpërdrejta.
Sipas Capellos, lojtari më i mirë me të cilin ka punuar ka qenë Gianni Rivera, të cilin e cilësoi si një talent të jashtëzakonshëm. Ndërsa për Johan Cruyff, ai nuk i kurseu kontrastet: Ishte i pabesueshëm si lojtar dhe shumë i mirë si trajner, por si njeri ishte i ftohtë dhe mendjemadh.
Trajneri italian u ndal edhe te disa emra të njohur të futbollit modern si Antonio Cassano dhe Mario Balotelli, të cilët i cilësoi si “talente të humbura”. Sipas tij, të dy kishin aftësi të mëdha, por nuk arritën kurrë të shprehnin plotësisht potencialin e tyre për shkak të sjelljes dhe mungesës së disiplinës.
Capello foli gjithashtu për periudhën e tij te Real Madridi, duke e quajtur largimin dhe rikthimin te Milani “gabimin më të madh të karrierës së tij”.
Një nga deklaratat më të forta ishte ajo për brazilianin Ronaldo Nazário. Capello kujtoi një bisedë të drejtpërdrejtë me të: Kur erdhi, e pyeta: sa peshoje kur fitove Botërorin? 84 kg. Po tani? 94 kg.
Sipas tij, Ronaldo ishte një lojtar me talent të jashtëzakonshëm, por jo shembull profesionalizmi: Ishte lider negativ, sepse nuk stërvitej si duhet dhe ndikonte keq te të tjerët. Shkonte shpesh në diskoteka, kishte shtuar peshë dhe mendonte vetëm për femrat.
Deklaratat e Capellos kanë ngjallur sërish debat, duke rikthyer në vëmendje figurat e mëdha të futbollit dhe mënyrën e ndryshme se si ata janë perceptuar nga trajnerët që i kanë drejtuar./et
