Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Sipas njoftimit zyrtar, në takim u diskutua situata politike dhe çështjet e sigurisë në rajon, në një kontekst sfidash të ndërlidhura ndërkombëtare.
Kurti theksoi rëndësinë e harmonizimit të Kosovës me politikat e Bashkimit Evropian në përballimin e këtyre sfidave, si dhe ritheksoi angazhimin e vendit për procesin e integrimit evropian dhe zbatimin e reformave.
Ai kërkoi gjithashtu avancimin e statusit të Kosovës drejt marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, duke vënë në dukje progresin e arritur dhe nevojën për vlerësim të bazuar në meritë.
Gjatë bisedimeve u trajtuan edhe zhvillimet e fundit politike në Kosovë, përfshirë çështje të agjendës së brendshme dhe proceset institucionale, si dhe zhvillimet në dialogun Kosovë–Serbi.
Po ashtu, Kurti ngriti shqetësime lidhur me situatën e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, duke përmendur pasivizimin e adresave dhe çështjen e mbështetjes financiare për Luginën.
Takimi u vlerësua si konstruktiv, me theks në vazhdimin e bashkëpunimit dhe dialogut të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian./Mxh
