Ish-kryebashkiaku i New York-ut dhe aleati i ngushtë i Donald Trump, Rudy Giuliani, 81 vjeç, po trajtohet në spital pas një rasti të rëndë pneumonie, por sipas zëdhënësit të tij ai “po merr frymë vetë” dhe po përmirësohet gradualisht.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësi Ted Goodman bëri të ditur se Giuliani është ende në gjendje “kritike, por të qëndrueshme”, ndërsa shtoi se ai ka kaluar një periudhë të vështirë që ka kërkuar edhe përdorimin e ventilimit mekanik për të mbajtur nivelin e oksigjenit.
Sipas Goodmann, Giuliani vuan prej vitesh nga një sëmundje e rrugëve të frymëmarrjes, e lidhur me ekspozimin ndaj pluhurit dhe tymit pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, gjë që e ka bërë më të rrezikuar ndaj infeksioneve si pneumonia.
“Virusi e rëndoi shpejt gjendjen e tij dhe kërkoi mbështetje me ventilim mekanik. Aktualisht ai po merr frymë vetë, i rrethuar nga familjarët dhe ekipi mjekësor”, thuhet në deklaratë.
Giuliani u shtrua në spital gjatë fundjavës, ndërsa fillimisht nuk u dhanë detaje të plota për gjendjen e tij shëndetësore.
Ai mbetet një figurë e njohur në SHBA, i vlerësuar gjerësisht për rolin e tij si kryebashkiak i New York-ut pas sulmeve të 11 shtatorit, periudhë që i dha edhe nofkën “Kryebashkiaku i Amerikës”.
Në vitet e fundit, ai ka qenë gjithashtu një nga figurat më të diskutueshme politike në SHBA, për shkak të përfshirjes së tij në çështjet pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 dhe proceseve gjyqësore që pasuan.
Sipas mediave amerikane, gjendja e tij shëndetësore po monitorohet nga afër, ndërsa familja ndodhet pranë tij në spital./mxh
