Administrata Tatimore po përgatit një ndërhyrje të thellë në sektorin e turizmit për vitin 2026, duke synuar formalizimin e plotë të një industrie që ka qenë një nga sektorët me dinamikën më madhe të rritjes viteve të fundit, por edhe burim i vazhdueshëm informaliteti sikurse është cituar jo pak herë.
Sipas planit sektorial të miratuar nga Komiteti i Riskut, “sektori i turizmit ka shënuar rritje të qëndrueshme, duke kontribuar në PBB”, ndërsa sfidat kryesore mbeten “mospërmbushja e detyrimeve tatimore dhe mangësitë në raportim”.
Dokumenti parashikon një regjim më të fortë monitorimi, të mbështetur në të dhëna në kohë reale dhe integrim të platformave si Booking dhe Airbnb në analizën fiskale. Tatimet synojnë që “formalizimi i plotë dhe transparenca tatimore” të arrihen përmes “monitorimit intensiv” të aktivitetit turistik.
Një nga problematikat kryesore mbetet raportimi i pasaktë i punësimit dhe përdorimi i pagave minimale fiktive. Plani nënvizon se “fiskalizimi i paplotë dhe pagat minimale fiktive janë problematike”, duke paralajmëruar kontrolle më të rrepta mbi deklarimet e bizneseve.
Në fokus është edhe rritja e të ardhurave nga TVSH, përmes zgjerimit të bazës së tatimpaguesve që deklarojnë me normat 6% për akomodimin dhe 20% për bar-restorantet. Objektivi është “rritje e numrit të tatimpaguesve deklarues me TVSH 6% dhe 20%”, duke reflektuar një përpjekje për të kapur më mirë aktivitetin real ekonomik.
Administrata do të përdorë analiza të avancuara risku për të identifikuar sjelljet devijuese. Subjektet me “xhiro zero pavarësisht aktivitetit” apo me “rënie të pajustifikuar në pikun e sezonit turistik” do të klasifikohen me risk të lartë dhe do të përballen me auditime të menjëhershme.
Kontrollet në terren do të intensifikohen, përfshirë “kontrolle pa paralajmërim punonjësish” dhe verifikime të drejtpërdrejta të pagave reale kundrejt deklarimeve. Kjo synon të godasë një nga format më të përhapura të informalitetit në sektor.
Një element i ri në strategji është përdorimi i inteligjencës artificiale për analizimin e faturave fiskale. Sistemi identifikon automatikisht nëse një faturë është e fiskalizuar, duke kursyer sipas planit “rreth 80% të kohës dhe burimeve të analizës”.
Në të njëjtën kohë, monitorimi i platformave digjitale do të bëhet në kohë reale, duke krahasuar çmimet, kapacitetet dhe vlerësimet e klientëve me deklarimet fiskale. Kjo pritet të reduktojë hapësirat për mosdeklarim në segmentin e akomodimeve online.
Plani shtrin fokusin edhe te turizmi alternativ, përfshirë agroturizmin dhe turizmin malor, ku një pjesë e aktivitetit zhvillohet jashtë skemave formale. Dokumenti evidenton “struktura agroturizmi të paformalizuara” dhe problematika në aplikimin e normave të TVSH-së.
Përveç kontrolleve, Tatimet parashikojnë edhe një qasje komunikimi me biznesin, përmes njoftimeve të personalizuara dhe fushatave ndërgjegjësuese përpara ndërhyrjeve në terren. Megjithatë, për subjektet që nuk përmbushin detyrimet, masat do të jenë të forta, përfshirë “bllokimin e pajisjeve të faturimit kur konstatohet shkelje” dhe referimin e rasteve për hetim penal për evazion tatimor. Plani synon që deri në fund të vitit 2026 të arrijë “100% përputhje” mes faturave fiskale dhe xhiros së deklaruar./monitor.al
