Last Updated on 11/11/2026 by Anisa
Nga frigoriferët e supermarketeve dhe shërbimet e dhurimit të gjakut, deri te rrjetet shtetërore të Berlinit, sulmet kibernetike po shënjestrojnë gjithnjë e më shumë infrastrukturat kritike. Një ekspert i sigurisë kibernetike paralajmëron se gabimet njerëzore mbeten një nga pikat më të dobëta që shfrytëzojnë kriminelët për të depërtuar në sistemet dixhitale.
Pas sulmeve ndaj frigoriferëve në supermarketet franceze, edhe shërbimet e dhurimit të gjakut janë bërë objektiv i hakerave të panjohur. Ndërprerja e sistemeve të ftohjes ka bërë që rezervat e gjakut të bëhen të papërdorshme. Në një intervistë për Euronews, Marco Di Filippo, ekspert i sigurisë kibernetike në kompaninë Whitelisthackers, shpjegon se si hakerat etikë përpiqen të identifikojnë dobësitë e sistemeve përpara se ato të shfrytëzohen nga kriminelët.
“Gjatë dy javëve të fundit kemi parë një përqendrim të jashtëzakonshëm të rasteve spektakolare, të një natyre që më parë nuk do t’i përjetonim as gjatë një viti të tërë”, shprehet Di Filippo.
Ai tregon se periudha e fundit ka qenë veçanërisht intensive, duke përfshirë rrjedhjen e të dhënave të partisë AfD, dobësitë e sigurisë në platformën Revolut dhe në gjuhën e programimit PHP, si dhe sulmet ndaj ambienteve frigoriferike. Sipas raportit të vitit 2025 të Zyrës Federale të Policisë Kriminale në Gjermani, dëmi ekonomik nga krimi kibernetik arriti në 202.4 miliardë euro.
Një klikim i vetëm hapi rrugën për hakerat në rrjetin shtetëror të Berlinit
Një nga rastet më shqetësuese, sipas ekspertit, ishte sulmi kibernetik ndaj rrjetit shtetëror të Berlinit në gusht 2026. Autorët kërkuan një shpërblim prej 30 bitcoin, me vlerë rreth 2 milionë euro, por Senati i Berlinit refuzoi të paguante. Në përfundim, 1.4 milionë dokumente konfidenciale u publikuan në darknet.
Sulmi u realizua duke shfrytëzuar një dobësi në sistemin dixhital dhe mungesën e njohurive të një përdoruesi. Përgjegjës për sulmin ishte grupi i ransomware-it Rhysida, i cili përdori një metodë të njohur si “ClickFix”.
Viktima u drejtua drejt një faqeje interneti ku iu kërkua të konfirmonte se ishte njeri dhe jo një robot. Për këtë qëllim, përdoruesit zakonisht u kërkohet të shkruajnë numra, të bashkojnë figura ose të zgjidhin një veprim matematikor.
Por në këtë rast, faqja i kërkoi viktimës të kryente një kombinim të caktuar tastesh, të kopjonte një komandë dhe të shtypte Enter.
“Duke vepruar kështu, në fund ishte vetë përdoruesi që u hapi derën sulmuesve”, shpjegon Di Filippo.
Sipas tij, rasti nxjerr në pah dy probleme kryesore: mungesën e kujdesit nga përdoruesi dhe faktin që ky i fundit kishte privilegje të panevojshme në sistem, të cilat i mundësuan ekzekutimin e komandës së dëmshme.
Njeriu, pika më e dobët e sigurisë dixhitale
Sipas Di Filippos, probabiliteti që një person të bëhet viktimë e një sulmi kibernetik është një në dy. Megjithatë, rreziku vijon të nënvlerësohet, ndërsa njerëzit shqetësohen më shumë nga rreziqe të tjera, si vjedhjet apo goditjet nga rrufeja.
“Probabiliteti për t’u goditur nga rrufeja është vetëm një në 200 mijë”, thekson eksperti.
Ai vëren se siguria shpesh nuk është prioritet në zhvillimin e produkteve të reja teknologjike. Vëmendja përqendrohet te lehtësia e përdorimit, ndërsa mbrojtja mbetet në plan të dytë.
Shtëpitë inteligjente, ku ndriçimi dhe ngrohja kontrollohen nga distanca, apo frigoriferët e supermarketeve që menaxhohen përmes internetit, janë shembuj të kësaj tendence. Teknologjia po e bën jetën më të lehtë, por jo domosdoshmërisht më të sigurt.
Për këtë arsye, Di Filippo këmbëngul se edukimi dhe ndërgjegjësimi për rreziqet dixhitale duhet të jenë pjesë e përparësive.
Në disa raste, mjafton klikimi mbi një lidhje të marrë përmes SMS-së ose WhatsApp-it dhe konfirmimi i identitetit për t’u dhënë pa dashje sulmuesve akses në mesazhet private. Kjo metodë, e njohur si “Ghost Pairing”, u paralajmërua në fillim të këtij viti edhe nga Zyra Federale Gjermane për Sigurinë e Informacionit (BSI).
Për të shmangur aksesin e personave të paautorizuar, institucioni rekomandon që mesazhet e dyshimta të shqyrtohen me kujdes dhe të aktivizohen mekanizma mbrojtës, si autentifikimi me dy faktorë.
Eksperti sjell si shembull Indinë, ku krahas zhvillimit teknologjik zhvillohen edhe fushata të gjera ndërgjegjësimi. Në stacionet e metrosë dhe hapësira të tjera publike shfaqen postera që informojnë qytetarët për krimet kibernetike dhe numrat e kontaktit ku mund të raportojnë rastet.
Në Gjermani, sipas tij, qytetarët ndonjëherë përballen me vështirësi edhe për të gjetur institucionin përgjegjës ku duhet të drejtohen.
“Çdo ditë shfaqen mënyra dhe ide të reja për sulme”, paralajmëron ai, duke shtuar se identifikimi i një dobësie të vetme mund të shkaktojë një efekt zinxhir, pasi sulmuesit mund të kërkojnë pajisje të tjera të të njëjtit model për të përsëritur sulmin.
Sipas vlerësimit të tij, në rreth 80 deri në 95 për qind të sulmeve përfshihet faktori njerëzor, i cili mundëson shfrytëzimin e dobësive të sistemeve.
Hakerat etikë, në luftë kundër kriminelëve kibernetikë
Puna e hakerave etikë konsiston në përdorimin e të njëjtave mjete dhe metoda që përdorin kriminelët kibernetikë, por me një qëllim krejtësisht të ndryshëm: identifikimin e dobësive përpara se ato të shfrytëzohen për të shkaktuar dëme.
“Ne përpiqemi të sulmojmë infrastrukturat ose të gjejmë defekte në sistemet dhe pajisjet dixhitale. Përdorim të njëjtat mjete si kriminelët e vërtetë kibernetikë. Dallimi është se synimi ynë është të zbulojmë problemet përpara tyre”, shpjegon Di Filippo.
Hakerat etikë punësohen nga kompani dhe institucione për të testuar sigurinë e sistemeve të tyre, pa shkaktuar dëme në infrastrukturë. Pas identifikimit të dobësive, ata përgatisin raporte të detajuara, të cilat në disa raste mund të arrijnë deri në 400 faqe, duke shpjeguar problemet dhe mënyrën se si janë zbuluar.
Më pas, prodhuesit e pajisjeve ose sistemeve njoftohen për të ndërmarrë masat e nevojshme dhe për të mbyllur hapësirat e cenueshme. Pasi problemi zgjidhet, dobësia mund të publikohet përmes sistemit CVE (Common Vulnerabilities and Exposures), një katalog ndërkombëtar që dokumenton cenueshmëritë e njohura të sigurisë.
Mungesa e enkriptimit që i kushtoi një banke 1.2 miliardë euro
Një nga rastet që eksperti kujton si shembull të pasojave të rënda të neglizhencës në sigurinë dixhitale lidhet me një bankë, nga e cila kriminelët kibernetikë arritën të vidhnin rreth 1.2 miliardë euro, afërsisht një dekadë më parë.
Sipas Di Filippos, në atë kohë banka nuk kishte masa të mjaftueshme sigurie për lidhjen e degëve të saj me njëra-tjetrën.
Dy ambiente të lidhura me bankën, të vendosura përballë njëri-tjetrit në të dy anët e së njëjtës rrugë, komunikonin përmes një lidhjeje radioje të drejtuar, e cila nuk ishte e enkriptuar.
Kjo u mundësoi sulmuesve të hynin në rrjetin dixhital të bankës pa pasur nevojë për aftësi të veçanta hakerimi dhe të lëviznin në sistem pa u diktuar.
Edhe në rastin e frigoriferëve të supermarketeve, një nga problemet kryesore ishte mungesa e mbrojtjes përmes enkriptimit. Ekspertët rekomandojnë përdorimin e masave bazë, si VPN-të dhe firewall-et, për të rritur sigurinë e pajisjeve të lidhura me internetin.
Ndërkohë, në Gjermani janë shtuar detyrimet për kompanitë dhe sektorët që duhet të zbatojnë standarde të sigurisë kibernetike, veçanërisht ato parandaluese, në kuadër të direktivës evropiane NIS 2.
Kompania Whitelisthackers ka ndërmarrë gjithashtu iniciativa për identifikimin e talenteve të reja në këtë fushë, përmes konkursit “Hakeri më i mirë i Gjermanisë”. Fituesit kanë mundësinë të marrin pjesë në aktivitete ndërkombëtare të njohura si hackathons, ku ekspertë dhe programues testojnë aftësitë e tyre në sigurinë dixhitale.
Ndërsa krimi kibernetik si shërbim po përhapet gjithnjë e më shumë në darknet, edhe tregu ligjor i shërbimeve të sigurisë po rritet. Whitelisthackers punon aktualisht me rreth 250 klientë në vit, ndërsa kompanitë po tregojnë interes gjithnjë e më të madh për të forcuar infrastrukturën e tyre dixhitale pas një sërë sulmesh me pasoja të gjera ndërkombëtare.
