Interi ka festuar titullin e 21-të kampion në verë duke shpresuar që të vazhdojë me këtë cikël suksesesh në Itali. Por në verë, rrugëtimi i zikaltërve do të ndahet me shumë emra që kanë qenë pjesë e rëndësishme e tyre në vitet e fundit. Disa prej veteranëve do ta mbyllin me 30 qershor dhe klubi ka nisur që tani të kërkojë alternativat për ta.
Jan Zomer është emri i parë pasi portieri nuk duket se bind më, edhe pse mbeti në këtë sezon alternativa kryesore për portën zikaltër. Në qershor përfundon kontrata edhe për Françesko Açerbin, i cili do të largohet nga zikaltrit duke u përshëndetur me ta në festën e titullit. Sipas “Gazzetta Dello Sport”, ai që shpreson ende te rinovimi, ndonëse me shifra shumë më të ulëta, është Stefan De Vraj. Gjithsesi, duket pak e mundshme pasi “Oaktree” ka bërë të qartë se “veteranët” duhet të jenë titullarë e jo alternativa në stol, ku duhet të ulen të rinjtë.
Mateo Darmian futet të lista e atyre që e mbyllin me 30 qershor, duke qenë një bashkudhëtar i sukseseve të Interit në gjithë këto vite. Në të njëjtën ditë, do të jetë fundi edhe për aventurën zikaltër të Henrik Mkhitarjan, i cili në moshën 37-vjeçare e mbyll si protagonist absolut me zikaltrit, pasi në këtë edicion ka luajtur 35 ndeshje duke lënë shpesh shenjë, si në ndeshjen ndaj Parmës ku tundi rrjetën.
Por “veteranët” nuk janë të vetmit, pasi pritet që nga klubi zikaltër të largohen edhe Fratezi, i cili nuk gjen hapësira, apo edhe Bastoni, i cili është kthyer në një emër të kërkuar. Për shkak të situatës së tij me tifozët në çdo stadium në Serinë A, mbrojtësi po kërkon një sistemim jashtë Italisë./mxh
