Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka deklaruar pas mbledhjes së Kryesisë se është arritur dakordësia që në zgjedhjet e 7 qershorit të garojnë së bashku me ish-presidenten Vjosa Osmani.
Abdixhiku tha për mediat se kjo dakordësi e arritur do të finalizohet të shtunën në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.
“Me votim në Kryesi u dakorduam që këtë të shtunë të thërrasim Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së për t’i finalizuar të gjitha çështjet për pjesën përgatitore. Pikë ishte edhe bashkimi i madh për të cilin jemi angazhuar, i njoftova Kryesinë dhe kryetarët e degëve me procesin.
Votuam dhe u dakorduam të formalizojmë tash e tutje në bashkëpunim me Vjosa Osmanin garimin e përbashkët në zgjedhjet e ardhshme. Bashkëpunimi ynë është me një listë të përbashkët brenda LDK-së. S’ka parti të tjera brenda listës së LDK-së, mund të kemi koalicione të vogla me parti të tjera, tash po flasim për një bashkëpunim brenda LDK-së”, është shprehur Abdixhiku.
Abdixhiku tha më tej se beson se Vjosa Osmani do të ishte kandidatja më e duhur për presidente.
“Besoj se Vjosa Osmani duhet të jetë kandidatja e shkëlqyeshme dhe më e duhur për presidente. Populli e dëshiron një gjë të tillë dhe jam i gatshëm t’ia mundësojmë popullit një kandidaturë të tillë. Renditja në listë nuk ka rëndësi”, tha Abdixhiku./mxh
