Nga Artan Fuga
More lërini historitë Me Ormuz, me Odesë dhe me planetin Mars! Atje ka luftë!
Nuk kemi të ndejtura ne të merremi me to. Ato na bien si shiu dhe na lagin si ai njeriu që ka harruar çadrën në shtëpi në ditë tufani!
Por çfarë të shohim.
Po ja shohim dy gjëra.
E para, se në të gjithë Globin dy janë vendet e nxehta politikisht, pra pa stabilitet politik, me shqetësime si funksionon politika, me gurë e tulla, mungesë hapësire për opozitën në parlament, me opozitë që nuk kuptohet se çfarë do dhe çfarë nuk do, me bllokime dhe ulurima e sharje.
Kosova dhe Shqipëria!
As India, as Bangladeshi, as Pakistani, as Burundi, askund si në dy vendet tona!
Edhe vendet diktatoriale edhe atje ku ka luftë, nuk ka dizekuilibër si te ne!
Në Evropë dhe Ballkan as bëhet fjalë që të na afrohet njeri. Jemi kampion!
Jepini përgjigje kësaj ju kam rixha mos bëjmë kot llo-llo-llo!
Nuk është problemi te shiu që bie mbi çati, jashtë shtëpisë, ne na përmbysin ujëra nga çarja e tubave brenda godinës!
Përgjegjen e vërtetë e fshehin si politikanët, ashtu edhe analistët. Vijnë vërdallë duke na e mbuluar trurin me pezhishka, na ngopin me propagandë që veç se na helmon e paguajnë edhe vetë. Si të shkosh në farmaci dhe të blesh si frëngu pulën ilaçin e gabuar.
E dyta, e keni vënë re ju? Edhe në Venezuelë, edhe në Iran, edhe në Ukrainë, edhe në ndonjë vend tjetër, madje edhe në Kubë, fuqitë që komandojnë botën nuk punojnë me opozitarë që e nisin jetën politike nga fillimi, radikalisht, por me ata që janë më pak të prekur nga kolera brenda klasës sunduese politikisht.
Me mëkatarë që kanë bërë mëkate më të lehta se të tjerët!
Problemi për ata që sundojnë del se nuk janë kundërshtarët në kampet politike përballë, por ata që bëjnë “përpërpër” brenda radhëve të tyre. Duken si bizhdila, por me mbështetje nga jashtë miu bëhet ari!
E nejse, nejse, kujdes gjithsesi çmimin e litrit të naftës, blini nga një makinë elektrike për kohë lufte ose sa është zënë kanali i Ormuzit!
