“Drejtësia si duhet të jetë” dhe “drejtësia si është sot” dhe hendeku që qëndron në mes, është tema e një analize nga juristi dhe ish-deputeti Plarent Ndreca. Në një intervistë për Tema, Ndreca nuk e sheh problemin te koncepti, por te zbatimi i reformës në drejtësi. Sipas tij, institucionet që qeverisin sistemin nuk kanë dështuar në thelb të reformës, por në mënyrën se si e kanë vënë atë në funksion. “Nuk është dështim i reformës në drejtësi, por dështim i zbatimit të saj”, thekson ai, duke shtuar se vendimmarrja shpesh është bërë më shumë për të zgjidhur problemet e brendshme të sistemit sesa për të dhënë drejtësi për qytetarët. Një “ngërç” i brendshëm, siç e quan ai, vazhdon të paralizojë funksionimin normal të drejtësisë. Në këtë situatë, Ndreca i atribuon një përgjegjësi të drejtpërdrejtë Parlamentit, i cili sipas tij ka munguar në rolin e vet për të zhbllokuar këtë ngërç. Ai nënvizon se Kuvendi ka në dorë instrumente të rëndësishme nga ndryshimet ligjore deri te ato kushtetuese, për ta bërë reformën funksionale.
Plarent Ndreca komenton edhe rastin e gjyqit të ish-presidentit Ilir Meta, duke e cilësuar paraqitjen e tij në një “kafaz prej xhami” si një akt që i shërben më shumë spektaklit sesa drejtësisë. “Trajtimi si një kriminel i rrezikshëm, pa u provuar fajësia, cenon vetë parimin e prezumimit të pafajësisë”, argumenton ai.
Ai shkon më tej duke bërë një krahasim me të kaluarën: mbi 30 vite më parë, ish-anëtarë të Byrosë Politike si Ramiz Alia apo Nexhmije Hoxha janë gjykuar pa masa të tilla ekspozuese, duke qëndruar përkrah avokatëve të tyre. Sipas Ndrecës, kjo tregon një regres në raport me standardet e procesit të rregullt ligjor.
Në këtë kontekst, ai ngre pyetjen thelbësore: a po synon drejtësia të kënaqë opinionin publik përmes proceseve të bujshme dhe statistikave të arrestimeve, duke sakrifikuar procesin e rregullt ligjor? Përgjigjja sipas Ndrecës është shqetësuese. Ai kritikon ashpër edhe fenomenin e publikimit të të dhënave hetimore në media, duke e cilësuar si fillimin e një “spektakli prokurorial” që zhvendos gjyqin nga salla e drejtësisë në studiot televizive.
Në thelb të analizës së tij qëndron ideja se drejtësia ekziston vetëm kur respektohet procesi i rregullt ligjor. “Nëse nuk ka proces të rregullt ligjor, atëherë nuk ka drejtësi”, shprehet ai, duke theksuar se në historinë e një shekulli kemi më shumë spektakël sesa drejtësi.
Ndreca e lidh këtë problem edhe me një dimension historik dhe kulturor. Ai argumenton se raporti i individit me shtetin në Shqipëri ka qenë historikisht i deformuar, për shkak të traditës së liderëve të fortë dhe sistemeve të centralizuara. Kjo, sipas tij, ka penguar zhvillimin e një kulture të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive individuale.
Duke bërë një reflektim më të gjerë, ai sjell në vëmendje momente kthese negative duke kujtuar se Ahmet Zogu investoi në arsimimin e juristëve në Perëndim, ndërsa më pas në regjimin komunist por edhe në vazhdimësi, shkolla juridike është thellësisht me ndikim lindor. Ky ndikim dhe kjo kulturë juridike, sipas tij, ka krijuar probleme në kuptimin dhe zbatimin e së drejtës, veçanërisht në raport me lirinë e individit.
