Një mollë në ditë mund të mos “dëbojë” krejtësisht inatet e fëmijërisë, por një studim i ri sugjeron se dieta e fëmijëve mund të ketë ndikim të madh në sjelljen dhe shëndetin e tyre mendor.
Një studim nga Universiteti i Agder në Norvegji, i publikuar në revistën Nutrients, zbulon se fëmijët 4-vjeçarë që hanin më shpesh fruta dhe perime kishin më pak probleme me ankthin, depresionin apo ndërveprimin social. Nga ana tjetër, ata që konsumonin më shumë ushqime të ëmbla dhe të kripura shfaqnin më shumë sjellje agresive dhe probleme me vëmendjen.
“Problemet e shëndetit mendor po rriten në mbarë botën. Identifikimi i faktorëve të parandalueshëm është shumë i rëndësishëm dhe ka ndikimin më të madh kur zbulohet në moshë të hershme,” thanë studiuesit.
Ata theksojnë se shëndeti mendor në fëmijërinë e hershme është thelbësor për suksesin në shkollë, aftësitë sociale dhe zhvillimin arsimor, të cilat ndikojnë në shëndetin dhe jetën ekonomike në të ardhmen.
Studimi përfshiu 363 fëmijë dhe tregoi se këto lidhje mbeteshin të forta edhe kur merreshin parasysh faktorë si edukimi i nënës, gjendja ekonomike apo shëndeti mendor i saj.
Studiuesit theksojnë se problemet e sjelljes eksternalizuese (si agresiviteti dhe mosbindja) janë shumë të zakonshme në fëmijëri dhe shpesh shfaqen para moshës 5 vjeç. Madje, rreth dy të tretat e fëmijëve me këto vështirësi në moshën 2–3 vjeç vazhdojnë t’i kenë edhe më vonë në shkollë.
Përfundimi i tyre është i qartë: ushqyerja ka rol të rëndësishëm në shëndetin mendor dhe zhvillimin e fëmijëve, ndaj dieta e tyre duhet të merren seriozisht që në vitet e para të jetës./fjala.al
