Last Updated on 06/05/2026 by Monika
Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një nivel mesatar prej 2.5% në tremujorin e parë të vitit 2026, duke regjistruar një rritje të lehtë në krahasim me tremujorin paraardhës.
Siç theksoi Guvernatori i Bankës së Shqiëprisë, Gent Sejko, në një konferencë për shtyp, çmimet e ushqimeve dhe të artikujve të tjerë të shportës patën një ecuri më të stabilizuar.
“Kahu i ecurisë së inflacionit në tremujorin e parë ishte në përputhje me pritjet tona dhe ky tregues vijon të mbetet ende nën objektiv. Megjithatë, rritja e shpejtë e çmimeve të naftës në tregjet botërore në muajin mars dha menjëherë ndikimin e saj në inflacionin e këtij muaji, duke ilustruar fillimin e transmetimit të saj në ekonominë shqiptare. Në aspektin makroekonomik, ecuria e inflacionit gjatë tremujorëve të fundit është diktuar nga rritja e presioneve të brendshme dhe nga nivelet e ulëta të inflacionit të importuar. Megjithatë, duke përjashtuar inflacionin e lartë të qirave, i cili pritet të ketë natyrë kalimtare, presionet e brendshme mbeten në linjë me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve. Nga ana tjetër, nivelet e ulëta të inflacionit të importuar janë diktuar, në një masë të konsiderueshme, nga forcimi i kursit të këmbimit. Megjithatë, rritja e çmimit të naftës dhe përcjellja e tij në artikujt e tjerë, pritet të shoqërohet me rritje të inflacionit të importuar gjatë tremujorëve në vijim”,-theksoi Sejko.
Sejko deklaroi po ashtu se konflikti ushtarak dhe tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme mbeten një burim rreziku dhe pasigurie mbi ekonominë botërore dhe atë shqiptare./mxh
