Qeveria ka miratuar sot listën e barnave që rimbursohen nga fondi i sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor dhe të masës së mbulimit të çmimit të tyre.
Bazuar në VKM, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor është institucioni që ngarkohet me detyrën e përcaktimit të barnave që do të përfshihen në listë.
Gjithashtu, me Vendim të Këshillit të Ministrave, çmimet e aplikuara për hartimin e listave I e II të barnave të rimbursueshme bazohen mbi çmimet e rivlerësuara, të miratuara për vitin 2026.
VENDIMI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 37, të ligjit nr.105/2014, “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, të ndryshuar, dhe të pikave 2, shkronja “b”, e 6, të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave, vendosi:
1. Miratimin e listës I të barnave të rimbursueshme, që tregtohen në farmacitë e spitaleve, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Miratimin e listës II të barnave, që rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, sipas lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Miratimin e masës së mbulimit të çmimeve të barnave të rimbursueshme, të renditur sipas klasifikimit ATC, në masën 50% – 100%, sipas grupeve terapeutike dhe barnave, të përcaktuara në pasqyrën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Miratimin e marzheve të tregtimit për barnat e listës së rimbursueshme, përkatësisht, në masën 8% për tregtimin me shumicë dhe 24% për tregtimin me pakicë.
5. Miratimin e marzheve të diferencuara të tregtimit me shumicë dhe me pakicë për disa barna të listave I e II, sipas pasqyrës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
6. Ngarkohet Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor që, në përputhje me legjislacionin në fuqi, të përcaktojë kufizimet në përdorim, në sasi dhe në kohëzgjatje të trajtimit me barnat e kësaj liste, bazuar në kritere ekonomike, mjekësore dhe sociale.
7. Ngarkohet Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor që, në përputhje me legjislacionin në fuqi, të lidhë marrëveshje për reduktimin e çmimeve të përfshira në këtë listë me mbajtësit e autorizimit për tregtim.
8. Nëse gjatë periudhës, kur ky vendim është në fuqi, ulen çmimet për barnat e paregjistruara të listës ose barnat, alternativë e vetme, që tregtohen në farmacitë e spitalit dhe në farmacitë e rrjetit të hapur, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, me njoftim të Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, reflekton uljen e çmimit të barit në listë. Pulla e kontrollit të barit do të lëshohet pas miratimit të çmimit nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
9. Çmimet e aplikuara për hartimin e listave I e II të barnave të rimbursueshme bazohen mbi çmimet e rivlerësuara, të miratuara për vitin 2026, sipas përcaktimeve të vendimit nr.645, datë 1.10.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për ngritjen dhe mënyrën e funksionimit të Komisionit të Çmimit të Barnave”, të ndryshuar.
10. Ngarkohet Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor që, brenda muajit janar të çdo viti, të përditësojë listën e barnave të rimbursuara me çmimet dhe alternativat tregtare për principet aktive ekzistuese, bazuar në listën e përgjithshme me çmimet CIF/EXË, të miratuara brenda datës 31 dhjetor nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
11. Efektet financiare përballohen nga buxheti i miratuar për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, për vitin 2026.
12. Vendimi nr.491, datë 24.7.2024, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së barnave, që rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe masën e mbulimit të çmimit të tyre”, i ndryshuar, shfuqizohet.
13. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”./mxh
