Një ish-bankier i “JPMorgan”, i cili ngriti akuza tronditëse për abuzim seksual ndaj një drejtueseje të lartë të bankës, është referuar për trajtim të shëndetit mendor nga Prokuroria e Manhattanit, pasi hetimet paraprake nuk gjetën prova që mbështesnin pretendimet e tij.
Bëhet fjalë për Chirayu Rana, 35 vjeç, i cili vitin e kaluar akuzoi një kolege të tijën, Lorna Hajdini me origjinë shqiptare, drejtuese ekzekutive 37-vjeçare në “JPMorgan”, se e kishte droguar, detyruar në akte degraduese seksuale dhe kërcënuar me shkatërrim të karrierës nëse nuk bindjej.
Sipas burimeve të cituara nga media amerikane “New York Post”, Zyra e Prokurorit të Manhattanit nisi hetime mbi pretendimet e 35- vjeçarit gjatë verës së kaluar, por çështja u mbyll pasi nuk u gjetën prova për shkelje penale.
Ai deklaron gjithashtu se kishte marrë mbështetje nga shërbimet pranë Prokurorisë së Nju Jorkut dhe se kishte kërkuar trajtim psikologjik që në fillim të vitit 2024. Sipas dokumenteve gjyqësore, Rana ka raportuar simptoma të rënda psikologjike, përfshirë makthe të përsëritura dhe dëgjim të zërit të koleges së tij në mendje. Ai pretendon se është diagnostikuar me çrregullim post-traumatik të stresit.
Nga ana tjetër, “JPMorgan” dhe drejtuesja e akuzuar, Lorna Hajdini, i kanë mohuar kategorikisht pretendimet. Sipas bankës, një hetim i brendshëm që përfshiu kontroll të email-eve, pajisjeve dhe dokumentacionit nuk gjeti asnjë provë për sjellje të paligjshme.
Media amerikane raportoi gjithashtu se Rana dyshohet se kishte mashtruar punëdhënësin duke pretenduar se babai i tij ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, për të marrë leje të paguar nga puna, kohë që më pas dyshohet se e përdori për përgatitjen e padisë./mxh
