Në kuadër të Javës së Kulturës Amerikane në Shqipëri, u zhvillua në Tiranë një koncert i përbashkët mes grupit muzikor “Flagship” të Forcave Detare Amerikane në Evropë e Afrikë si dhe Orkestrës së Forcave të Armatosura Shqiptare. Aktiviteti mblodhi përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe amerikane, diplomatë, ushtarakë dhe qytetarë, në një mbrëmje të dedikuar muzikës, miqësisë dhe partneritetit mes dy vendeve.
Të pranishmit i përshëndeti e Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Shqipëri, Nancy VanHorn, e cila e cilësoi koncertin si një simbol të lidhjes së fortë mes dy kombeve aleate.
“Sonte, po ju sjellim diçka të veçantë – tingujt elektrizues të grupit muzikor “Flagship” të Forcave Detare të SHBA-së për Evropën dhe Afrikën, së bashku me Orkestrën e jashtëzakonshme të Forcave të Armatosura Shqiptare. Dy orkestra ushtarake të klasit botëror. Një skenë. Përsosmëri e pastër muzikore”, u shpreh diplomatija amerikane.
Aktiviteti u organizua në kuadër të nismës globale “Freedom 250”, që shënon 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas diplomates amerikane, kjo nismë synon të promovojë vlerat e lirisë, bashkëpunimit dhe mundësive të përbashkëta me partnerët ndërkombëtarë.
““Freedom 250” është një ftesë për miqtë në mbarë botën, përfshirë edhe këtu në Shqipëri për të festuar historinë amerikane. Dhe, është edhe historia juaj. Iu përket të gjithëve që besojnë në liri, mundësi dhe begati”, tha ajo.
Diplomatja amerikane VanHorn theksoi se marrëdhënia mes Shqipërisë dhe SHBA-së mbështetet mbi miqësi të qëndrueshme dhe bashkëpunim të ngushtë në shumë fusha.
“Kjo shfaqje është më shumë se një koncert. Është një festë e lidhjes së pathyeshme midis kombeve tona, si Aleatë, si miq të besuar dhe si partnerë në liri. Kjo është ajo që e bën miqësinë SHBA-Shqipëri të pandalshme, partnerë të mrekullueshëm si të gjithë ju”, deklaroi VanHorn.
Koncerti i organizuar nga Ministria e Kulturës, Bashkia e Tiranës, Ministria e Mbrojtjes, Universiteti Politeknik i Tiranës dhe institucione të tjera arsimore e kulturore, u shoqërua me performanca të përbashkëta muzikore dhe pjesëmarrjen e artistëve shqiptarë, duke sjellë një atmosferë festive dhe një tjetër dëshmi të bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara./kb
