Këshilli i Integrimit në Bashkimin Europian është mbledhur këtë të premte, më 8 maj, ku në fokus të diskutimit është ecuria e procesit të negociatave të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Në hapje të mbledhjes, kryenegociatorja për integrimin europian, Majlinda Dhuka, deklaroi se pas çeljes së negociatave për anëtarësim, Shqipëria ka hyrë në një fazë të re, më të avancuar dhe më kërkuese të procesit integrues.
“Sot Shqipëria ndodhet në një moment kyç”, shtoi Dhuka, duke theksuar se kjo është “faza më e rëndësishme” drejt bërjes së vendit anëtar të Bashkimit Europian dhe pjesë të tregut europian.
Gjatë fjalës së saj, Dhuka nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së gjithë shoqërisë shqiptare në këtë proces, përmes dijes, advokacisë dhe kërkesës për përmirësim të standardeve.
Sipas kryenegociatores, integrimi europian është një projekt i përbashkët kombëtar, me synim përfshirjen e Shqipërisë në tregtinë, ekonominë dhe investimet europiane, si edhe garantimin e të drejtave, lirive dhe mbrojtjes sociale për qytetarët shqiptarë “njësoj si qytetarët europianë“.
Dhuka e konsideroi hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave brenda një periudhe 13-mujore jo thjesht një arritje të rëndësishme institucionale, duke shtuar se projekti europian tashmë: “Më shumë se aspiratë, është projekti ynë i përbashkët”.
“Këto janë ditët, muajt dhe vitet e mundësisë sonë të madhe, por edhe të përgjegjësisë sonë të madhe”, theksoi kryenegociatore.
Sipas Dhukës, sfida e radhës për Shqipërinë nuk është vetëm hapja e kapitujve të negociatave, “por mbyllja e tyre me dinjitet, cilësi dhe në mënyrë të pakthyeshme drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian”.
“Po punojmë intensivisht të mbyllim kapitujt.”, shtoi ajo.
Toni Gogu: Shqipëria si model për Europën, jo më një aspiratë
Ndërsa Ministri i Drejtësisë Toni Gogu, i cili mori fjalën pas kryenegociatores Dhuka deklaroi se institucionet shqiptare kanë treguar angazhim të lartë në procesin e integrimit europian.
Sipas Gogut, shtatë institucione shqiptare kanë dorëzuar rezultate konkrete, duke përballuar me sukses një nga ushtrimet më komplekse që sipas tij, ka ndërmarrë administrata shqiptare ndër vite.
“Në fund të ditës, Shqipëria nuk ka shkuar me fjalë e me llafe, por me hapa konkretë”, u shpreh ministri lidhur me punën e bërë deri më tani nga qeveria, për procesin e negociatave të anëtarësimit.
Ai ngriti si pyetje kryesore përfitimin real që qytetarët do të marrin nga reformat në drejtësi, duke theksuar se sistemi po hyn në një fazë më të qëndrueshme funksionimi. Në këtë kuadër, Gogu përmendi uljen me “60% të stokut të çështjeve në Gjykatën e Lartë”, duke e cilësuar këtë si një tregues pozitiv për adresimin e problematikave të mbartura ndër vite.
“Pyetja është si po përfiton qytetari shqiptar nga ky ndryshim? Ka disa tregues që meritojnë të evidentohen. E para, sistemi po hyn në një fazë më të qëndrueshme funksionimi. Me gjithë numrin e lartë të stokut të çështjeve, ka një tregues që na jep shpresë që mund ta adresojmë elefantin në dhomë, pikën e dobët që kaloi një sprovë të paimagjinueshme përmes vendimit. Si ulet stoku në Gjykatën e Lartë? Është ulur me 60%.”, Gogu.
Ministri theksoi gjithashtu se Shqipëria po ndërton standarde më të forta në drejtësi përmes bashkëpunimit afatgjatë me Bashkimin Europian dhe vendet anëtare të tij.
“Së dyti, po ndërtojmë standarde më të forta. Projekti më afatgjatë që një vend para anëtarësimit ka pasur, ka partnerizuar me BE-në dhe të gjitha vendet e BE-së për 10 vjet. Unë besoj se kjo është një provë e qartë e seriozitetit të Shqipërisë në procesin e integrimit. Javën e kaluar ishte ministrja austriake e Drejtësisë, dje ishte ai i Francës. Dy shtyllat e drejtësisë. Të dy deklaruan se puna e Shqipërisë ishte e pashoq. Shqipëria, sipas të dy ministrave, ka ndërmarrë disa hapa që, sipas ministrave, disa vende ende nuk i kanë adresuar. Po flasim për institucione tërësisht të pavarura nga ekzekutivi. Ajo çka Shqipëria po synon të bëjë e të vendosë na çon në atë që u diskutua dje, që reforma shqiptare tashmë dhe standardi europian, si edhe europianizimi i institucioneve shqiptare, nevojitet të diskutohen si një model tashmë e jo një aspiratë.”, theksoi ministri Gogu.
Ai po ashtu shtoi se vendi po ecën drejt një sistemi më të aksesueshëm dhe më pak burokratik për qytetarët.
Mes të tjerash, ministri shtoi se sa i përket digjitalizimit në sistemin gjyqësor, “do të jetë një faktor suksesi që ne duhet ta diskutojmë, që menaxhimi i çështjeve të bëhet në kohë reale dhe ne të fitojmë kohën e humbur”./kb
