Paul Taylor*
Lufta e Donald Trump në Iran dhe tiradat e tij kundër aleatëve të Nato-s po përshpejtojnë përpjekjet për të zhvilluar një “plan B” për sigurinë europiane, në rast se SHBA nuk është më e gatshme të ndihmojë në mbrojtjen e aleatëve ndaj një sulmi rus. Europa duhet të përgatitet urgjentisht për boshllëqe të papritura sigurie, nëse presidenti amerikan, i njohur për luhatjet e tij, vendos të tërheqë kapacitete kyçe ushtarake përpara se europianët të kenë zhvilluar alternativat e tyre.
Vendet europiane tashmë kanë marrë përsipër përgjegjësinë financiare dhe politike për mbështetjen e Ukrainës në përballjen me luftën agresive të Vladimir Putinit, ndërsa Trump është afruar gjithnjë e më shumë me Moskën në përpjekjet për ta detyruar Kievin të dorëzojë territore të gjera ndaj Rusisë. Pas katër vitesh lufte në Europë, shumica e liderëve e shohin Ukrainën si një aset ushtarak dhe teknologjik për mbrojtjen europiane, dhe jo më si barrë apo faktor rreziku.
Duke e quajtur Nato-n “tigër prej letre” dhe aleatët europianë “frikacakë” për mosmbështetjen e luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, Trump ka minuar besueshmërinë e aleancës. Njoftimi për një tërheqje të pjesshme të trupave amerikane nga Gjermania, si edhe kërcënimet për shkurtime të tjera dhe sanksione ndaj qeverive europiane që refuzuan përdorimin e bazave apo hapësirës ajrore për operacionin “Epic Fury”, po i detyrojnë liderët europianë të mendojnë të pamendueshmen.
Disa zhvillime të fundit tregojnë qartë se vendet europiane po rishikojnë sigurinë e tyre në funksion të një të ardhmeje potencialisht “post-amerikane”. Ato nuk mund të jenë më të sigurta për mbështetjen ushtarake amerikane nëse, për shembull, Putini do të organizonte një inkursion të kufizuar në një shtet baltik, ndoshta duke dërguar forca të fshehta për të marrë nën kontroll një qytet kufitar rusishtfolës, dhe më pas do të kërcënonte me hakmarrje masive, ndoshta edhe bërthamore, në rast reagimi të Nato-s. Skenarë të tillë shkaktojnë ankth te planifikuesit europianë të mbrojtjes, të tronditur nga pasiguria që sjell Trump.
Në javët e fundit, Gjermania ka kapërcyer hijet e historisë së saj të shekullit XX dhe ka publikuar strategjinë e parë ushtarake që nga Lufta e Dytë Botërore, duke vendosur objektivin për t’u bërë ushtria më e fortë konvencionale në Europë deri në vitin 2039. Franca ka nisur bisedime me shtatë vende jo-bërthamore për zgjerimin e ombrellës së saj bërthamore në mbrojtje të partnerëve europianë. Kjo pasoi deklaratën Francë-Britani të vitit të kaluar për thellimin e bashkëpunimit mes dy fuqive bërthamore europiane.
Emmanuel Macron ka theksuar se iniciativa franceze synon të plotësojë, dhe jo të zëvendësojë, parandalimin bërthamor të SHBA-së dhe Nato-s. Megjithatë, është e qartë se vende jo-bërthamore si Gjermania, Suedia, Holanda dhe Polonia, të cilat më parë mbështeteshin plotësisht te ombrella bërthamore amerikane, po kërkojnë mënyra të reja për të frenuar kërcënimin bërthamor rus.
Edhe pse po rrisin shpenzimet për mbrojtjen, qeveritë europiane nuk mund të zëvendësojnë në afat të shkurtër kapacitete kyçe që ofron SHBA-ja, si inteligjenca satelitore, mbikëqyrja dhe zbulimi, mbrojtja ajrore dhe raketore apo logjistika ajrore. Po ashtu, ato nuk kanë sistemet e komandës dhe kontrollit, as logjistikën e nevojshme për një mobilizim të madh ushtarak pa angazhimin amerikan përmes Nato-s.
Të hënën, ambasadorët e BE-së zhvilluan një ushtrim të parë simulues për të testuar sesi do të zbatonin në praktikë paktin e tyre të ndihmës reciproke, i cili deri tani ka qenë kryesisht deklarativ. Neni 42.7 i traktatit të BE-së, që parashikon “detyrimin për ndihmë dhe asistencë me të gjitha mjetet në dispozicion”, në letër është më detyrues sesa neni i famshëm 5 i Nato-s. Por kjo klauzolë është aktivizuar vetëm një herë – nga Franca pas sulmeve terroriste të vitit 2015 – dhe atëherë solli bashkëpunim policor dhe inteligjence, por jo veprim ushtarak. Qëllimi i ushtrimit ishte krijimi i procedurave për emergjencat e mbrojtjes. Sipas raportimeve, roli i mundshëm i Nato-s nuk u mor në konsideratë.
Vetë fakti që u zhvillua një stërvitje e tillë ka shkaktuar polemika, ndërsa shtetet baltike kanë shprehur privatisht shqetësimin se kjo mund t’i japë Uashingtonit një pretekst për t’u tërhequr nga siguria europiane. Megjithatë, kryeministri polak Donald Tusk theu një tabu duke vënë publikisht në dyshim nëse Trump do ta respektonte zotimin e Uashingtonit ndaj Nato-s në rast të një sulmi rus në muajt e ardhshëm. “Pyetja më e madhe dhe më e rëndësishme për Europën është nëse Shtetet e Bashkuara janë gati të jenë po aq besnike sa përshkruhet në traktatet tona”, deklaroi ai për Financial Times.
Përpjekja e Europës për riarmatimin përballet gjithashtu me sfida të reja për shkak të luftës në Iran. Konflikti ka zbrazur në masë arsenalet amerikane të armëve kyçe, ndërsa qeveritë europiane po njoftohen se mund të përballen me vonesa shumëvjeçare për marrjen e raketave të mbrojtjes ajrore, armëve me rreze të gjatë dhe municioneve të porositura nga kontraktorët amerikanë të mbrojtjes. Kjo duhet t’i japë shtysë industrisë europiane të mbrojtjes, por prodhuesit europianë të armëve, të fragmentuar dhe tashmë të mbingarkuar, kanë pak ose aspak kapacitet për të përballuar kërkesën në rritje. Kështu, Europa po përballet me një periudhë gjithnjë e më të gjatë cenueshmërie, me më pak mbështetje amerikane, pasiguri politike dhe boshllëqe të mëdha kapacitetesh.
Këto dilema duhet të jenë në krye të axhendës në samitin e ardhshëm të Nato-s, që do të mbahet në Ankara në korrik, por liderët europianë hezitojnë të ekspozojnë dobësinë e tyre strategjike përballë Trump, nga frika se lideri impulsiv amerikan mund t’i braktisë krejtësisht. Të pasigurt për masën e mbështetjes që mund të marrin ende nga SHBA-ja, europianët duhet të përgatiten për një marrje graduale në dorë të strukturave të provuara të komandës së Nato-s, planifikimit të mbrojtjes dhe stërvitjeve të përbashkëta.
Nëse është e mundur, Nato duhet të ruajë një Komandant Suprem Aleat në Europë (Saceur) nga SHBA-ja, për të mishëruar lidhjen e qëndrueshme me forcat bërthamore dhe konvencionale amerikane – një faktor kyç parandalues ndaj Rusisë. Por europianët duhet urgjentisht të gjejnë mënyra për të organizuar mbrojtjen e tyre në rast se Trump shmang angazhimet e tij.
Kjo nuk ka gjasa të përqendrohet te Bashkimi Europian, për shkak të parimit të unanimitetit dhe mungesës së përvojës ushtarake, si edhe faktit që aleatë kyç si Britania e Madhe, Norvegjia, Turqia dhe Kanadaja nuk janë pjesë e BE-së. Nëse SHBA qëndron mënjanë, një union europian i mbrojtjes, i udhëhequr nga Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe, i mbështetur nga burimet e Nato-s dhe BE-së, dhe me role kyçe për Poloninë dhe Ukrainën, mbetet alternativa më e fortë për një kontinent të cenueshëm.
*Paul Taylor është bashkëpunëtor i lartë pranë European Policy Centre/ Përgatiti për botim: L.Veizi
