Ndërtimi i spitalit më të madh ushtarak amerikan jashtë SHBA-së, që po realizohet në Gjermani, nuk është ndikuar nga njoftimet e fundit për reduktimin e trupave amerikane në vend, kanë bërë të ditur autoritetet përgjegjëse për projektin.
Menaxherja e projektit, Bettina Bachem, deklaroi për Reuters se diskutimet për tërheqjen e trupave “nuk kanë asnjë lidhje me këtë projekt”, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara janë të detyruara sipas marrëveshjes së Statusit të Forcave të NATO-s të financojnë ndërtimin e spitalit.
Spitali i ri, i cili po ndërtohet në landin federal të Rheinland-Pfalz, do të ketë 67 reparte, rreth 4,500 dhoma dhe nëntë salla operacioni. Ai pritet të inaugurohet në vitin 2029 dhe do të zëvendësojë Qendrën Mjekësore Rajonale të Landstuhl-it, si dhe spitalin e Forcave Ajrore në bazën e Ramstein-it.
Projekti, me vlerë rreth 1.8 miliardë euro, shtrihet në një sipërfaqe të barabartë me rreth 112 fusha futbolli dhe aktualisht punëson rreth 1,500 persona.
Autoritetet rajonale gjermane theksojnë se që në fazat e para të planifikimit janë marrë parasysh si rregulloret gjermane të energjisë dhe qëndrueshmërisë, ashtu edhe kërkesat për sigurinë kundër terrorizmit, duke çuar në zgjidhje teknike të detajuara dhe standarde të larta ndërtimi.
Spitali do të ketë gjithashtu një koncept të veçantë dizajni të brendshëm, me orientim të qartë për pacientët dhe vizitorët, duke u bazuar në parimet e “arkitekturës shëruese”, që synon krijimin e një ambienti sa më të qetë dhe terapeutik.
Ndërkohë, më herët Pentagon njoftoi tërheqjen e rreth 5,000 trupave nga Gjermania, në një periudhë tensionesh në rritje mes Uashingtonit dhe aleatëve evropianë të NATO-s./mxh
Artikulli i MëparshëmRevolucion në verë, kuqezinjtë e Kombëtares në kërkim të fatit
Artikulli Tjetër “Lojtari i Vitit” te Sunderlandi, Xhaka merr çmimin e rëndësishëm
