Ministria e Jashtme e Kinës ka dënuar Mbretërinë e Bashkuar, duke e akuzuar për arrestime dhe ndjekje penale ndaj shtetasve kinezë dhe për “manipulim politik anti-Kinë”.
Zëdhënësi i ministrisë, Lin Jian, deklaroi se pala britanike ka përdorur “akuza të fabrikuara” dhe ka abuzuar me sistemin ligjor për të dënuar qytetarë kinezë, ndërsa sipas tij ka mbështetur forca që synojnë destabilizimin e Hong Kongut.
Deklaratat e Pekinit vijnë një ditë pas vendimit të një gjykate në Londër, ku dy persona, mes tyre një zyrtar britanik i imigracionit, u shpallën fajtorë për spiunazh në favor të Hong Kongut dhe Kinës.
Të dy të dënuarit, shtetas me dyshtetësi kineze dhe britanike, kanë mohuar akuzat. Sipas mediave britanike, ata janë personat e parë të dënuar për spiunazh në favor të Kinës në Mbretërinë e Bashkuar. Dënimi i tyre pritet të shpallet më vonë, ndërsa përballen me deri në 14 vite burg.
Marrëdhëniet mes Londrës dhe Pekinit mbeten të tensionuara që nga protestat pro-demokracisë në Hong Kong në vitin 2019 dhe reagimet e Kinës ndaj tyre.
Megjithëse kryeministri britanik Keir Starmer vizitoi Kinën në janar në përpjekje për përmirësimin e marrëdhënieve, çështjet e spiunazhit dhe akuzat e ndërsjella vazhdojnë të mbeten pengesë kryesore në afrimin mes dy vendeve./mxh
