Papa Leoni ka bërë thirrje që liderët botërorë të frymëzohen nga Zoti për të ulur tensionet ndërkombëtare dhe për të reduktuar urrejtjen në botë, gjatë një fjalimi të mbajtur të premten (8 maj), me rastin e përvjetorit të parë të zgjedhjes së tij në krye të Kishës Katolike.
Në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve, Papa kërkoi lutje që qeveritë e botës të largohen nga dhuna dhe konfliktet, duke theksuar nevojën për paqe dhe pajtim.
Ai foli gjithashtu nga qyteti Pompei, në jug të Italisë, ku u shpreh se lutjet e tij shkojnë për “qetësimin e zemrave, shuarjen e urrejtjeve dhe ndriçimin e atyre që kanë përgjegjësi qeverisëse”.
Deklaratat e Papës vijnë një ditë pas takimit të tij në Vatikan me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, një takim që u zhvillua në një klimë tensionesh me Uashingtonin, pas kritikave të Papës ndaj luftës në Iran dhe reagimeve të Presidentit Donald Trump.
Sipas Vatikanit, në bisedimet me Rubio-n palët janë angazhuar për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe, ndërsa burime diplomatike e kanë cilësuar takimin si një pranim të pazakontë të tensioneve mes dy palëve.
Papa Leo, i zgjedhur më 8 maj 2025, ka rritur tonin kritik ndaj luftërave dhe regjimeve autoritare në muajt e fundit, duke paralajmëruar se paqja botërore po rrezikohet nga tensionet ndërkombëtare dhe ekonomia e orientuar drejt tregtisë së armëve.
Ai theksoi se njerëzit nuk duhet të mësohen me imazhet e luftës dhe dhunës që shfaqen çdo ditë në media, duke bërë thirrje për ndërgjegjësim global dhe veprim për paqe./mxh
