Autoritetet shëndetësore në Spanjë kanë njoftuar një rast të dyshuar me hantavirus në provincën juglindore të Alicante-s, në rajonin e Valencias.
Sekretari i Shtetit për Shëndetësinë, Javier Padilla, deklaroi të premten (8 maj) se një grua, e cila kishte udhëtuar me të njëjtin avion si një pacient i mëparshëm i infektuar, është shtruar në spital dhe po mbahet në izolim.
Sipas autoriteteve, gruaja ka shfaqur simptoma të lehta, përfshirë kollë dhe gjendje të përgjithshme të dobët, dhe është vendosur në një dhomë me presion negativ në një spital në Alicante, ku i është marrë mostra PCR për analiza të mëtejshme.
Mostrat janë dërguar në Qendrën Kombëtare të Mikrobiologjisë në Majadahonda, ndërsa rezultatet pritet të dalin brenda 24 orëve.
Padilla theksoi se rasti konsiderohet i dyshuar dhe se probabiliteti i infektimit është i ulët, duke shtuar se kontakti me pacientin e mëparshëm ka qenë i shkurtër gjatë fluturimit.
Ai shtoi se autoritetet shëndetësore në rajonin e Valencias kanë nisur gjurmimin e kontakteve të personit të prekur në ditët e fundit.
Sipas tij, raste të ngjashme të dyshuara janë testuar më herët dhe kanë rezultuar negative, duke dhënë shpresë se edhe ky rast mund të mos konfirmohet si infeksion./mxh
