Shpesh ndodh që, teksa flasim me miqtë apo familjarët, të përmendim një person të afërt që duket se po vuan emocionalisht dhe të mendojmë se psikoterapia mund ta ndihmonte. Mund të jetë partneri, një mik apo një prind që po përballet me ankth, depresion apo vështirësi të vazhdueshme në marrëdhënie. Dhe pothuajse gjithmonë lind e njëjta pyetje: “Si ta bind ta provojë terapinë?”
Por a mund ta bindim vërtet dikë të nisë psikoterapi? Dhe a kemi ne të drejtën të vendosim se dikush tjetër “ka nevojë” për të?
Sipas psikoterapistit Grigoris Vassiliadis, njerëzit e shtrojnë shumë shpesh këtë shqetësim gjatë seancave, partneri, fëmija apo prindi i tyre refuzon të kërkojë ndihmë profesionale, edhe pse ata besojnë se ka nevojë për të.
Megjithatë, përgjigjja e specialistit është e qartë, askush nuk mund dhe nuk duhet ta bindë një tjetër të nisë psikoterapi, nëse vetë personi nuk është i ndërgjegjshëm për problemet që po përjeton dhe ndikimin që ato kanë në jetën e tij.
Ai shpjegon se ajo që mund të bëjmë është vetëm të flasim hapur për përfitimet e psikoterapisë, të ndajmë eksperiencat tona dhe të krijojmë një ambient pa paragjykime. Vendimi, megjithatë, duhet të vijë nga vetë personi.
Një tjetër pyetje që lind shpesh është nëse një marrëdhënie mund të shpëtohet kur personi tjetër refuzon ndihmën profesionale. Sipas ekspertit, në raste të tilla hapi më i rëndësishëm është që vetë ne të kërkojmë mbështetje psikologjike.
Përmes terapisë personale, mund të kuptojmë më qartë nëse marrëdhënia mund të përmirësohet, si ndikojmë ne në dinamikën e saj dhe deri ku duhet të shkojë përpjekja jonë për ta mbajtur atë gjallë.
Ai thekson gjithashtu se shumica e njerëzve, pa qenë profesionistë të shëndetit mendor, nuk janë në gjendje të vlerësojnë me saktësi nëse dikush ka nevojë për psikoterapi. Vetëm një specialist i trajnuar mund të bëjë një vlerësim të tillë.
Megjithatë, informimi mbi shëndetin mendor dhe leximi i materialeve serioze mbi psikoterapinë mund të ndihmojë dikë të kuptojë më mirë disa shenja shqetësuese dhe, kur është e nevojshme, të kërkojë ndihmë profesionale.
Por pse shumë njerëz vazhdojnë ta refuzojnë terapinë edhe kur duket qartë se po vuajnë?
Sipas psikoterapistit, arsyet janë të shumta. Për disa, terapia lidhet me frikën e humbjes së kontrollit. Për të tjerë, ekziston ende stigma sociale dhe ideja se të kërkosh ndihmë do të thotë të dukesh “i dobët”. Në shumë raste, njerëzit mbajnë brenda vetes zëra kritikë të krijuar që në fëmijëri, të cilët i bëjnë të ndihen në faj apo të turpëruar për ndjeshmërinë e tyre.
Ai shton se shpesh pas skepticizmit ndaj psikoterapisë fshihet frika nga ndryshimi. Sepse terapia nuk premton vetëm qetësim, por edhe përballje me pjesë të vetes që shumë njerëz i kanë shmangur për vite.
Në fund, eksperti thekson se psikoterapia është mbi të gjitha një marrëdhënie me veten. Dhe, sado e vështirë të duket, përballja me atë që kemi mbajtur të fshehur për një kohë të gjatë mund të jetë hapi i parë drejt shërimit./mxh
