Last Updated on 08/05/2026 by Monika
Federico Valverde dhe Aurélien Tchouameni janë ndëshkuar rëndë nga Real Madrid pas përplasjes së tensionuar në qendrën stërvitore të Valdebebas. Klubi madrilen ka vendosur një gjobë prej 500 mijë eurosh për secilin futbollist, duke mbyllur zyrtarisht procedurat disiplinore të hapura një ditë më parë.
Sipas komunikatës së klubit, të dy lojtarët janë paraqitur sot përpara instruktorit të çështjes, ku kanë shprehur pendesë të plotë për incidentin dhe kanë kërkuar falje ndaj njëri-tjetrit. Gjithashtu, Valverde dhe Tchouameni i kanë kërkuar ndjesë klubit, shokëve të skuadrës, stafit teknik dhe tifozëve madrilenë.
Burime pranë futbollistit uruguaian bëjnë të ditur se dy protagonistët kishin sqaruar situatën edhe para vendimit të klubit, përmes një bisede private pas tensioneve të ndodhura gjatë javës. Ata kanë pranuar seriozitetin e situatës dhe kanë vendosur të rikthejnë marrëdhënien normale brenda skuadrës.
Megjithatë, ndëshkimi financiar i klubit konsiderohet një mesazh i fortë për ruajtjen e disiplinës në dhomat e zhveshjes së “Los Blancos”.
Ndërkohë, në aspektin sportiv, situata ndryshon për dy mesfushorët. Valverde pritet të mungojë deri në fund të sezonit për shkak të një traume në kokë, që kërkon 10 deri në 14 ditë pushim. Ndërsa Tchouameni është rikthyer normalisht në stërvitje dhe mund të jetë i gatshëm për El Clasicon e radhës, nëse trajneri Arbeloa vendos ta aktivizojë./mxh
