Last Updated on 09/05/2026 by Anisa
Nga Anisa Daci
Ekziston një dallim i madh mes dinjitetit jetësor dhe dinjitetit njerëzor e intelektual. Dhe pikërisht aty ka shpërthyer debati pas daljes publike të Robert Ndrenikës në mbështetje të Erion Veliajt.
Në një shoqëri normale, artisti duhet të jetë zëri që ngre ndërgjegjen e publikut, jo dekor emocional i pushtetit. Duhet të jetë ai që mbron të pambrojturit, jo ai që justifikon të fortët. Dhe pikërisht për këtë arsye, pamjet e fundit nga seanca gjyqësore të Veliajt ndezën debat të fortë publik: a ishte kjo mirënjohje njerëzore apo degradim moral?
Por ndoshta problemi nuk është aq i thjeshtë sa duket.
Sepse në një kohë kur pothuajse të gjithë punojnë, heshtin apo bashkëjetojnë me padrejtësinë në forma të ndryshme, pse artisti duhet të jetë i vetmi që detyrohet të pështyjë mbi kujtesën, mirënjohjen apo lidhjet e veta njerëzore?
Por a është jeta kaq bardh e zi? Po ne të tjerët çfarë bëjmë?
A nuk punojnë çdo ditë mijëra njerëz për shefa të korruptuar?
A nuk heshtin shumë përballë padrejtësive vetëm për të mbajtur bukën e gojës?
A nuk i shtrëngojmë dorën njerëzve që nuk i admirojmë?
A i hedhim ne poshtë njerëzit që na kanë ndihmuar në ditët më të vështira?
Kjo është pika ku debati moral bëhet hipokrit.
Sepse Robert Ndrenika nuk foli si gjykatës. Nuk tha “është i pafajshëm”. Nuk bëri analizë juridike. Ai foli si një njeri që tha:
“E njoh që në fëmijëri.”
Madje ai kujtoi një djalë jetim, të rritur me halle e probleme, që sipas tij ka ndihmuar teatrin dhe artistët.
“Djalë jetim, i rritur me halle e probleme, që në fillore ka qenë filozof fëmijë. Ka ndihmuar shumë teatrin dhe artistët. Mirë mu duk. Jo them që jo. Po të jetë nevoja e bëj. E përballoj (burgun). Unë s’i kam kuptuar (akuzat)”, tha Ndrenika.
Sot njerëzit kërkojnë që artistët të jenë heronj absolutë. Dhe pikërisht këtu fillon tragjedia: sapo një marrëdhënie njerëzore prek politikën, gjithçka interpretohet si interes, si servilizëm, si pazar.
Sigurisht, artistët janë figura publike dhe çdo qëndrim i tyre ka peshë. Por artisti është njeri para se të jetë simbol publik.
Ismail Kadare shkruan:
“Jeta e një njeriu të vetëm koklavitet kur plekset me mekanizmat e pushtetit.”
Po. Pushteti i ndot marrëdhëniet. I komplikon. I bën të dyshimta. Por kjo nuk do të thotë se çdo ndjenjë njerëzore është hipokrizi.
“Të gjithë qytetarët janë anëtarë të të njëjtit trup, dhe kur njëri prej tyre lëndohet, të gjithë duhet të ndihen të ofenduar.” — Solon
Ndoshta kemi humbur diçka si shoqëri kur jemi bërë kaq të etur për të poshtëruar njerëzit që nuk mendojnë si turma.
Sepse është shumë e lehtë të gjykosh nga telefoni, nga komentet, nga mllefi kolektiv.
Më e vështirë është të pranosh se jeta njerëzore ndërtohet mbi marrëdhënie, mbi mirënjohje, mbi gabime, mbi dobësi dhe mbi heshtje që ndonjëherë nuk shpjegohen dot.
Dhe ndoshta pyetja më e drejtë nuk është:
“Pse nuk e braktisi Ndrenika?”
Por ndoshta pyetja më e ndershme është tjetër:
A do ta bënim ne vërtet këtë me njerëzit që kemi për zemër?
A do t’i mohonim ata që na kanë shtrirë dorën në ditët më të vështira?
A do të pështynim aty ku kemi ngrënë bukë, kemi marrë respekt apo kemi gjetur dinjitet?
Sepse është shumë e lehtë të jesh moralist në komente.
Shumë më e vështirë është të mbetesh njeri.
Ndoshta kjo vlen edhe për mënyrën si trajtojmë figurat publike. Mund të mos biem dakord me ta. Mund të kritikojmë. Por pa humbur njerëzillëkun. Sepse në fund, artisti nuk është as shenjtor, as prokuror, as gjykatës.
“Njeriu ka kohë me u turpëru, deri ditën që vdes”. Dhe ndoshta turpi i vërtetë nuk është ajo që tha ai, por mënyra si shoqëria nxiton ta kthejë në faj publik.
