Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale edhe qëndrimet e ambasadorit të BE-së në Tiranë, Gonzato.
Berisha e akuzoi diplomatin se, sipas tij, ka përcjellë në Bruksel “trillime të pavërteta” ndaj opozitës, duke krijuar përshtypjen se ajo nuk është pro integrimit europian.
“Sa i përket ambasadorit aktual, unë kam shprehur: ky sillet si të ishte ambasadori i Ramës, pasi ky zotëri, në mënyrë të pretenduar, ka transmetuar në Bruksel trillimet më të pavërteta ndaj opozitës, sikur ne nuk jemi për integrimin. Për të mos treguar shumë gjëra të tjera.
Ne jemi ata që i themi gjërat hapur dhe ai është përpjekur në shumë mënyra ta paraqesë opozitën si jo të orientuar drejt integrimit, por ka dështuar. Gonzato është unifikuar komplet me Edi Ramën. Unë partnerëve europianë do t’u them të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”, u shpreh Berisha./A.D
