Java e fundit e kampionatit ka përcaktuar të gjitha verdiktet përfundimtare të sezonit të rregullt në Kategorinë Superiore.
Pas Flamurtarit, skuadra e dytë që largohet zyrtarisht nga elita është Bylisi, pas humbjes në përballjen direkte. Ballshiotët u mposhtën me rezultatin 5-2 nga Vora, rezultat ky që përmbysi llogaritë në fundin e tabelës.
Me këtë fitore, Vora u ngjit në kuotën e 42 pikëve, duke siguruar qëndrimin direkt në kategori. Ndërkohë, Teuta do të luajë fatin e saj në fazën “play-out”, pasi mbeti në vendin e tetë pavarësisht fitores 3-2 ndaj Egnatias.
Mbijetesa u arrit edhe për Tiranën, e cila po fiton 3-1 në transfertën e tensionuar ndaj Elbasanit. Ky takim u shoqërua me incidente të shumta dhe ndërprerje për shkak të sjelljes së tifozërisë vendase. Për shkak të kësaj humbjeje, Elbasani humb kryesimin e renditjes pikërisht në javën e fundit.
Vllaznia ka marrë vendin e parë pas suksesit 2-0 ndaj Flamurtarit. Shkodranët e mbyllin kampionatin e rregullt me 63 pikë. Tashmë vëmendja zhvendoset te faza “Final Four”, ku do të shpallet edhe ekipi kampion i këtij edicioni. Përveç Vllaznisë dhe Elbasanit, në këtë fazë do të marrin pjesë edhe Egnatia dhe Dinamo.
Këto katër skuadra do të nisin rrugëtimin e fundit për titullin, ndërsa Partizani e mbylli sezonin jashtë këtij objektivi në vendin e pestë./mxh
