Last Updated on 11/05/2026 by Anisa
Ministria e Shëndetësisë ka reaguar zyrtarisht në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj ish-kreut të PD-së në Lezhë, Sokol Toma, i cili mbrëmjen e djeshme është dhunuar barbarisht nga disa persona në autostradën Mamurras–Laç, pranë fshatit Sanxhak të Kurbinit.
Ministria e Shëndetësisë bën me dije se Toma, si pasojë e dhunës së ushtruar, ka pësuar dëmtime në gjymtyrët e poshtëm dhe dëmtime të veshit.
Po ashtu, Ministria bën me dije se Toma është koshient dhe në gjendje të stabilizuar në Spitalin e Traumës në kryeqytet.
“Pacienti S.T. ndodhet në monitorim intensiv në urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës me dëmtime në gjymtyrët e poshtëm dhe dëmtime të veshit. Është koshient dhe në gjendje të stabilizuar, do të vijojë të marrë trajtim në SUT”, shkruan Ministria e Shëndetësisë.
Po ashtu, mediat raportojnë se shkak i dhunimit të ish-kreut të PD-së dyshohet të jetë biznesi i tij, ndërsa pritet edhe reagimi i policisë.
Po kush është Sokol Toma?
Sokol Toma, ish-drejtor i Urbanistikës në Bashkinë e Lezhës dhe një nga personat që ka pasur përplasje të shumta me drejtësinë, pritet të ndërtojë një hotel gjigant në zonën e Shëngjinit. Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar lejen e ndërtimit, ndërkohë që ai rezulton i shpallur në kërkim.
Mediat raportojnë se kompania “S.T. Konstruksion” sh.p.k., në pronësi të Sokol Tomës me 100% të kuotave të kapitalit, ka marrë leje ndërtimi për objektin: “Rezidencë turistike dhe hotel 16–26 kate mbi tokë dhe 8 kate nëntokë”, me vendndodhje në Mal Shëngjin, Bashkia Lezhë.
Bëhet fjalë për një projekt mjaft ambicioz për zonën e Shëngjinit, i cili, me firmën e kryeministrit Edi Rama si kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), pritet të marrë jetë shumë shpejt në një prej zonave bregdetare më të bukura të Lezhës.
Megjithatë, mbetet e paqartë se si Sokol Toma ka mundur të sigurojë një leje të tillë ndërtimi, ndërkohë që rezulton një nga ish-zyrtarët me probleme të shumta me drejtësinë, çështje të cilat janë mbyllur në mënyrë të diskutueshme.
Në tetor të vitit të kaluar, Sokol Toma u shpall në kërkim nga Policia e Lezhës për një ngjarje tragjike të ndodhur në një prej kantiereve të tij, ku një punëtor 36-vjeçar, i punësuar në të zezë, ra nga lartësia dhe humbi jetën.
Në këtë objekt, në zonën e Kunes, kreu i kompanisë “S.T. Konstruksion” sh.p.k. figuronte si drejtues teknik. Më herët, ai ka ndërtuar edhe një pallat pa leje në zonën turistike të Ranës së Hedhun.
Sokol Toma është dënuar një vit më parë me disa muaj burg, me kërkesë të SPAK dhe vendim të Gjykatës së Posaçme, për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, lidhur me tjetërsimin e mijëra metrave katrorë tokë në zonën e Shëngjinit dhe Ranës së Hedhun.
Dënimi u konvertua në 2 vite shërbim prove dhe 5 vite përjashtim nga ushtrimi i funksioneve publike./A.D
