Ish-deputeti Ervin Salianji ka kritikuar ashpër ish-kryeministrin Sali Berisha, pas deklaratave të këtij të fundit dhe qëndrimeve ndaj ambasadorit Silvio Gonzato.
Salianji u shpreh se sulmet ndaj diplomatëve nuk përfaqësojnë Partinë Demokratike, por sipas tij janë qëndrime personale që dëmtojnë opozitën.
“Figura janë ata që zgjedhin demokratët, jo një lidership që për interesa personale ka uzurpuar PD. Nuk mund të jetë Shqipëria dhe PD një frëngji ku gjuhen ambasadorët, siç ndodhi sepse qëndrimi nuk ishte i PD, por i një njeriu që e ka uzurpuar dhe po e mban peng PD. Nuk fitohet duke sharë dhe mallkuar cilindo, mediat, shqiptarët, demokratët, por duke bashkëpunuar dhe ndërtuar partneritet. Vetëm me këtë kapërcim, PD mund të hapet dhe të fitojë”, tha Salianji.
Gjatë një takimi në Dibër me demokratët, ai akuzoi drejtpërdrejt Berishën se e ka përjashtuar nga gara për shkak të frikës së humbjes, duke e cilësuar atë si “të shkuarën e politikës”.
“Pas 36 vitesh në krye, ai mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë sot për gjendjen ku ndodhet PD. Ai përfaqëson të shkuarën. Kur Sali Berisha nuk më mund dot mua duke pasur listën, mediat, regjimin, si do ta mundë Ramën? Se si të mos mjaftonin të gjitha këto, ai po përjashton gjithë kundërshtarët, zërat ndryshe. Kjo është rruga që do ta shuajë PD. PD nuk e meriton, demokratët dhe as Shqipëria, zgjidhja është e qartë: të hapë partinë, të lejojmë garën, fraksionet, të respektojmë fraksionet”, u shpreh ai.
Salianji e cilësoi Berishën si barrë për opozitën dhe kërkoi largimin e tij nga drejtimi i partisë.
“Sali Berisha nuk mund ta sjellë Partinë Demokratike në pushtet as sot, as nesër dhe as kurrë! Çdo ditë që ai qëndron në krye të PD është fitore personale për të, por humbje e madhe për PD-në, opozitën dhe Shqipërinë. Ai sot është i izoluar ndërkombëtarisht dhe qëndrimi i tij në krye të PD ndihmon duke mbajtur në pushtet Edi Ramën. Sali Berisha është barrë për opozitën dhe duhet t’i hapë krahun një brezi tjetër”, tha Salianji.
Në fund të takimit, ai u shpreh entuziast për mbështetjen e marrë dhe paralajmëroi takime të tjera në vijim, duke thënë se shumë shpejt do të ketë edhe një takim të madh në Tiranë./A.D
