Ish-zëvendëskryeministrja britanike, Angela Rayner, deklaroi se qeveria laburiste do të gjykohet nga veprimet dhe jo vetëm nga fjalët, pas humbjeve historike që Partia Laburiste pësoi në zgjedhjet lokale në Britani.
Gjatë një konference sindikale të mbajtur të hënën, Rayner tha se kryeministri Keir Starmer e ka pranuar frustrimin e qytetarëve të shprehur në votimet e fundit, por sipas saj, pranimi i gabimeve nuk mjafton nëse ato nuk korrigjohen.
Ajo theksoi se Partia Laburiste duhet të bëjë më shumë për të rikthyer besimin e qytetarëve dhe të vendosë interesin publik mbi përçarjet e brendshme partiake. Rayner kritikoi gjithashtu vendimin e lidershipit laburist për të bllokuar kandidaturën e kryebashkiakut të Mançesterit, Andy Burnham, duke e cilësuar atë si një gabim që duhet korrigjuar.
Në fjalën e saj, ajo pranoi se partia po kalon një moment të vështirë politik, pasi shumë deputetë laburistë humbën mandatet e tyre. Sipas Rayner, kjo tregon se strategjia aktuale nuk po funksionon dhe se nevojiten ndryshime të rëndësishme.
Deklaratat e saj vijnë në një moment tensionesh të forta brenda Partisë Laburiste, ndërsa po shtohen zërat kritikë ndaj drejtimit të Starmer. Një ish-ministre e nivelit të ulët, Catherine West, paralajmëroi gjatë fundjavës mundësinë e nisjes së një gare për drejtimin e partisë, nëse nuk ndërmerren ndryshime radikale.
Megjithatë, deri tani asnjë figurë e rëndësishme laburiste nuk ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për të sfiduar Starmerin në krye të partisë./mxh
