Martin Short ka folur për herë të parë publikisht për humbjen tragjike të vajzës së tij, Katherine Short, e cila ndërroi jetë në shkurt në moshën 42-vjeçare. Në një intervistë për CBS News Sunday Morning më 10 maj, aktori e përshkroi dhimbjen si “një makth për familjen”.
Short tha se vajza e tij kishte luftuar për shumë vite me probleme të rënda të shëndetit mendor, përfshirë çrregullimin borderline të personalitetit. “Shëndeti mendor dhe kanceri, si ai që kishte gruaja ime, janë të dyja sëmundje. Dhe ndonjëherë këto sëmundje janë fatale,” u shpreh ai.
Sipas autoriteteve në Los Angeles, Katherine Short humbi jetën si pasojë e vetëvrasjes. Familja Short, në një deklaratë për PEOPLE, tha se ishte “e shkatërruar nga kjo humbje” dhe kërkoi privatësi në këtë periudhë të vështirë.
Katherine ishte punonjëse sociale e licencuar dhe punonte në praktikë private, si edhe në klinikën Amae Health, ku ndihmonte pacientët dhe familjet e tyre me mbështetje psikologjike dhe terapi. Ajo kishte përfunduar studimet për psikologji dhe social work në New York University dhe University of Southern California.
Martin Short ishte i martuar për 30 vite me Nancy Dolman, e cila ndërroi jetë nga kanceri ovarian në vitin 2010. Çifti adoptoi tre fëmijë: Katherine, Oliver dhe Henry.
Aktori pritet të shfaqet së shpejti në dokumentarin e ri të Netflix, Marty, Life Is Short, që premierën e ka më 12 maj. Dokumentari do të tregojë jetën dhe karrierën e tij, por edhe humbjet personale që kanë shënjuar jetën e aktorit./mxh
